Borrelli i zhgënjyer në njëvjetorin e Ohrit: Do t’i bëjmë presion Kosovës dhe Serbisë

Borrelli i zhgënjyer në njëvjetorin e Ohrit: Do t’i bëjmë presion Kosovës dhe Serbisë

Gazetare: Xhesika Sallahi

Edhe pse sot shënohet përvjetori i parë i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, që Kosova dhe Serbia dakortësuan në Ohër vitin e kaluar, marrëdhëniet mes shteteve janë ende të tensionuara, pa përparim. Shefi i diplomacisë së BE-së, Zhozep Borrell, ka thënë në Bruksel se do të vazhdohet presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë, që t’i zbatojnë detyrimet.

“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha po fluturon dhe tashmë është bërë një vit prej kur kishim arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të lëviznin përpara drejt normalizimit. Për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progres. Së shpejti do të kemi takimin tjetër të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen keq se kjo marrëveshja, e cila ishte shumë vështirë të arrihej, nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj të dyja palëve në mënyrë që të lëvizin përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa unë kisha pritur të jetë”, deklaroi Josep Borrel, shefi i diplomacisë së BE-së.

Ndërkohë, në takimin e radhës në kuadër të dialogut në Bruksel, nga Kosova pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ndërsa delegacionin e Serbisë e udhëheq drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Në këtë takim do të diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje rreth përdorimit të dinarit serb në Kosovë si dhe për çështjet e tjera urgjente, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kosova dhe Serbia, në Ohër më 18 mars 2023, kanë arritur marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, pas muajsh negociatash intensive. BE pret që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe udhëheqje duke bërë përparim në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit përfshijnë respektimin e neneve të Marrëveshjes, detyrimet përkatëse të secilit shtet, krijimin e një komiteti monitorues të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, dialogun të lehtësuar nga BE-ja, si dhe në rast mosrespektimi të neneve do të kenë pasoja negative nga BE-ja. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button