Borxhi i akumuluar, Teatri Shqiptar mbetet në terr

Borxhi i akumuluar, Teatri Shqiptar mbetet në terr

Gazetar: Adnan Qaili

Teatri Kombëtar Shqiptar nuk ka drita. Për shkak të borxhit disa mujor ndaj elektro-distributorit ky institucion është shkyçur nga rrjeti i furnizimit të energjisë elektrike, shkruan Alsat.

E gjithë godina ngjanë si një gërmadhë.

“Siç po shihni nuk ka energji elektrike as këtu në Teatrin Kombëtar Shqiptar në Shkup. Ambiente të errëta kanë pamundësuar provat dhe punën e aktorëve dhe gati dy muaj Teatri ka mbetur jo funksional”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Nga drejtoria e Teatrit Shqiptar thonë se mjetet shtesë të siguruara me rishikimin e buxhetit nuk ishin të mjaftueshme pasi një proces i hapur gjyqësor iu mban llogarinë e bllokuar. Ata thonë se kasta e aktorëve po mban prova në kushte të tilla për mos të ngecur me shfaqjen e paracaktuara.

“Objekti është i shkyçur nga rrjeti i energjisë elektrike për shkak të borxhit të akumuluar nga muaji shkurt. Në muajin korrik, pas rishikimit të Buxhetit, Ministria e Kulturës siguroi mjetet, por në ndërkohë llogaria e Teatrit ishte e bllokuar për shkak të një procesi gjyqësor. Në drejtim të zgjidhjes së problemit Qeveria solli konkluzion për të siguruar mjetet e nevojshme për zhbllokim të llogarisë. Jemi në pritje që mjetet të transferohen në llogarinë tonë dhe të shlyhet borxhi ndaj EVN për të normalizuar procesin e punës”, thonë nga Teatri Shqiptar Shkup.

Por, nuk është vetëm Teatri Shqiptar i shkyçur. Nga “EVN” thonë se qindra konsumatorë me orëmatës industrial kanë përfunduar në listën e pagesës me tarifa më të shtrenjta ngaqë nuk kanë nënshkruar kontratë për furnizim me energji elektrike.

Nga 186 institucione shtetërore dhe publike që janë borxhlinjtë të mëdha, 16 janë të shkyçura plotësisht nga rrjeti.

“Gjithsej ka 430 konsumatorë që furnizohen nga Furnizuesi i instancës së fundit. Prej tyre, 186 janë institucione shtetërore/publike, të tjerat janë private (industriale dhe SOHO). Momentalisht, të shkyçur janë 23 konsumatorë, prej të cilëve 16 janë institucione shtetërore/publike”, theksojnë nga Ndërmarrja shpërndarjes elektrike “EVN”.

Për të zbutur këtë krizë, Qeveria miratoi dy masa që nga 15 tetori-15 prill të fiksoj në 10% marzhën për tregtinë e energjisë elektrike si dhe furnizuesi përfundimtar, siç është EVN, do të tarifojë një marzhë prej 20% në vend të 50% sipas rregullit të KRRE-së, për këto subjekte që janë në treg të lirë pa kontrata.

Në mesin e tyre ka shumë shkolla fillore e të mesme, ndërmarrje publike, institucione kulturore e organe shtetërore që sipas raportit të KRRE-së fatura përfundimtare e konsumatorëve është ndërmjet 30-40 mln €./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button