Brukseli kërkon themelimin e Asociacionit
Brukseli kërkon themelimin e Asociacionit

Gazetar: Shkëlzen Aqifi
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa ndonjë shtyrje të mëtejmë apo parakushte. Në një njoftimin e lëshuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, thuhet se BE-ja është e shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit.
“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton nisjen e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë,” thanë nga Bashkim Europian.
Borrell tha se BE-ja është e shqetësuar me mungesën e përparimit nga të dyja palët për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, disa muaj pas rritjes së tensioneve.
“Përkundër thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat që janë ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshme dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Në këtë kontekst, veprimet nga ana e Kosovës, përfshirë edhe shpronësimin e tokës në veri, urdhrat për lëshimin e ndërtesave, telekomin dhe përdorimin e njësive speciale të policisë për detyra të ruajtjes së rendit publik, nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë që të kontribuojnë në rritjen e re të tensioneve”, theksoi BE-ja, thuhet nga Bashkim Europian.
Një ditë më më herët kryeminis.tri i Kosovës Albin Kurti lëshoi akuza të rënda në drejtim të ndërmjetësit të BE-së Mirosllav Lajçak, për të cilin tha se është pozicionuar kundër Kosovës.
“Kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, por duke lejuar që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim,” deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano nuk deshi t’i komentojë akuzat e Kurtit, por tha se të njëjtat janë pretendime të pabaza. Raundi i fundit i dialogut në Bruksel, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve. Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës. /alsat.mk