Bullgaria bllokoi kornizën negociuese për Maqedoninë, Zaevi e cilëson si hap jomiqësor

Bullgaria i vendosi bllokadën e parë Maqedonisë së Veriut, në takimin e ambasadorëve të BE-së ku u shqyrtua korniza negociuese për Shkupin. Këtë e konfirmoi kryeministri Zaev i cili prapëseprapë mbetet optimist se dallimet mes dy vendeve do të tejkalohen përmes një sqarimi të marrëveshjes së 2017-tës dhe se negociatat për anëtarësim me BE-në do të fillojnë në dhjetor. Përskaj sinjalit jomiqësor nga Sofja siç tha Zaev, ai paralajmëron takim të ri mes kryediplomatëve dhe mes historianëve të dy vendeve.

Kemi kohë. Këshilli i Përgjithshëm i BE-së është shtyrë për më 17 nëntor dhe vijojnë tre takime të Komitetit të ambasadorëve. Sot ishte takimi i parë i ambasadorëve, ku u shkel Neni 2 i Marrëveshjes me Bullgarinë. Bllokada e parë u dha. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se shanset janë humbur. Besoj se do të gjejmë zgjidhje, sepse vijon samiti i Procesit të Berlinit. Nëse Borisov shërohet mund të bisedojmë, nëse jo, samitin do ta mbajmë online. Me komunikim intensiv Ministritë e Jashtme do të jenë kreativ për të gjetur zgjidhje – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Nga ana tjetër, Zv kryeministri bullgar, Karakaçanov këmbëngul se çdo kompromis për historinë e popullit bullgar do të ishte tradhti. Ritheksoi se Bullgaria nuk mund ta mbështesë euro-integrimin e një shteti që duke vjedhur historinë bullgare krijon identitet të ri, me urrejtje ndaj popullit bullgar.

Nuk e pengojmë ne Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, por Maqedonia refuzon dialog dhe marrëdhënie normale me fqinjët, vetë e pengon rrugën e saj. Kemi nënshkruar marrëveshje për fqinjësi të mirë nga 1 gushti i 2017-tës, më thoni çfarë ka bërë Shkupi që ta ndalojë falsifikimin e historisë, gjuha e urrejtjes. Ne a fise turke-tatare jemi?! Sepse kështu shkruan në librat në Maqedoni. Ne jemi fashistë, vrasës. Po si kështu? – u shpreh Krasimir Karakaçanov, Ministër i Mbrojtjes së Bullgarisë.

Jozyrtarisht, kërkesat e Sofjes nuk janë pjesë e propozim kornizës negociuese, nuk përcaktohen afate për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, vetëm kërkohet që marrëveshja e 2017-tës të zbatohet me vullnet të mirë. Në dokument gjithsesi nuk parashikohet as data e fillimit të negociatave me Shkupin.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button