Bullgaria dënon djegien e flamurit në Vevçan

Sofja është revoltuar nga djegia e flamurit bullgar gjatë Karnavalit të Vevçanit një ditë më parë. Kryediplomatja bullgare, Zaharieva përmes ambasadorit në Shkup dorëzoi notë proteste, por nuk ka detaje se çfarë përmban i njëjti.

“Pas publikimeve mediatike të djegies së flamurit bullgar në fshatin Vevçani në Republikën e Maqedonisë së Veriut, urdhërova ambasadorin bullgar në Shkup, Angell Angellov që t’ia shprehë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pakënaqësinë tonë të thellë për atë akt vandal. Ambasadori Angellov tashmë ia ka dorëzuar një notë të ashpër proteste Ministrisë së Jashtme të RVM-së- deklaroi Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Pas reagimit të Sofjes, Ministria e Jashtme dhe Presidenti dënuan aktin e djegies së flamurit bullgar.

Ministria e Jashtme
“Tradita shekullore nuk duhet të rrezikohet përmes aktiviteteve që nënçmojnë ose fyejnë popujt, kombet, veçanërisht fqinjët tanë. Dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në Karnavalin në Vevçani, një akt që jo vetëm dëmton reputacionin e Karnavalit por gjithashtu dëmton reputacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.”

“Djegia e flamurit të Bullgarisë gjatë karnavalit në Vevçan është e papranueshme dhe e dënueshme. Midis fqinjëve është e nevojshme të ndërtohet besimi, mirëkuptimi dhe respekti- deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Sipas Ministrit të Brendshëm, Spasovski incidenti kishte prapavijë politike.

“..aty ndodhi një situatë në të cilën, për arsye politike, dikush dëshironte të krijonte incident që do të ishte sensacion për opinionin- pohoi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Ministria e Brendshme konfirmoi për Alsat se ngjarja është dokumentuar dhe se ndaj personit që kreu aktin do të fillojë procedurë adekuate, sapo t’i verifikohet identiteti.

Ministria e Brendshme
“Dje në orën 15:00 gjatë defilimit të personave të maskuar në Vevçani, një person mbante në dorë flamur të Republikës së Bullgarisë, të cilin, gjatë djegies tradicionale të maskave në qendër të Vevçanit, e lëshoi në zjarr dhe e dogji. Ngjarja është dokumentuar dhe pasi të konfirmohet identiteti i personit, ndaj tij do të shqiptohet kallëzim adekuat.”

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button