Bullgaria nuk heq dorë nga kërkesat e saj, FAC: Rrezikohen negociatat për Maqedoninë

Insistimi i Bullgarisë që të pranohet ekzistenca e vetëm një të vërtete historike, ajo e bullgarëve, nuk i përgjigjet shekullit XXI. Kështu shkruan gazeta gjermane Frankfurter Algemajne Cajtung (FAC), e cila thekson se ky qëndrim i palës bullgare shihet si shqetësues nga të gjithë vendet e Ballkanit. Në analizën e bërë për kontestin bullgaro-maqedonas, gazeta gjermane shkruan se nëse pranohet pohimi bullgar atëherë zgjerimi i BE-së do të bëhet i pamundur dhe kjo duhet të potencohet në negociatat qasëse të Maqedonisë së Veriut. Frankfurter Algemajne Cajtung shkruan se ambasadori bullgar në BE, Dimitar Cançev dy herë është shprehur para kolegëve të tij se, negociatat qasëse në BE me Maqedoninë e Veriut, mund të fillojnë vetën pasi veni do t’i plotësojë kushtet e posaçme të Bullgarisë.

Në esencë, Sofja kërkon që maqedonasit të pranojnë se në esencë kanë qenë bullgarë dhe se kanë biseduar bullgarisht, para se të bëhen komb i pavarur përmes një procesi të falsifikimit historik. Qëndrimet e këtilla nuk janë mbështetur nga asnjë vend tjetër anëtar. Në qarkun e ambasadorëve të BE-së, qëndrimet e ambasadorit bullgar gjatë kësaj jave dhe javës së kaluar, hasën në mosmirëkuptim dhe habitje. Askush nuk iu bashkua, as grekët, as francezët ose holandezët, të cilët një vit më parë e bllokonin fillimin e negociatave qasëse me Maqedoninë e Veriut – shkruan Frankfurter Algemajne Cajtung, gazetë gjermane.

Gazeta shkruan edhe për shpjegimin e memorandumit të Sofjes, sipas të cilit vendi ynë në të gjitha dokumentet evropiane guxon të prezantohet vetëm me emrin e plotë “Republika e Maqedonisë së Veriut”, e në asnjë rast në formën e shkurtër si “Maqedonia e Veriut”, sepse sipas Sofjes, kjo mund të paraqesë kërcënim të integritetit territorial bullgar. Siç shkruan FAC, Bullgaria e hedh poshtë edhe emrin “maqedonas” për gjuhën zyrtare dhe kërkon të përdoret termi “gjuha zyrtare sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Por qëndrimi i Brukselit është se nuk munden një vend të vendosë se si do të quhet gjuha e një vendi tjetër. Për këtë çështje ka reaguar ish kryeministri suedez Karl Billd, pas një shkrimi të Rojtersit, në të cilin flitet për imponimet historike të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Nëse një përparim i Ballkanit drejt Bashkimit Evropian varet nga një shtet ose ndonjë shtet tjetër i cili imponon një “të vërtetë historike”, mund të jemi të sigurt se asgjë nuk do të ndodhë për vitin e ardhshëm, madje edhe për dy vitet e ardhshme – tha Karl Billd, ish kryeministër i Suedisë.

Vendimi kyç nëse Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat me BE-në së shpejti ose jo, është 10 nëntori, do të bëhet i ditur në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së.

Mefail Ismaili

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button