Bullgaria reagon ashpër pas incidentit në ambasadë
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Autoritetet bullgare e kanë cilësuar sulmin e djeshëm në Ambasadën e Bullgarisë si një akt të drejtuar kundër shtetit bullgar. Sipas Presidentes së Bullgarisë, Iliana Jotova, incidenti ndodh në një klimë të vazhdueshme të retorikës anti-bullgare dhe jotolerancës, e cila, sipas saj, nuk është trajtuar siç duhet nga institucionet përgjegjëse. Ajo thekson se veprime të tilla nuk janë të rastësishme, por janë pasojë e nxitjes së urrejtjes dhe mungesës së ndëshkimit. Jotova ka bërë thirrje që Parlamenti Evropian të reagojë ndaj kësaj ngjarjeje.
“Shpresoj shumë që edhe kolegët e mi eurodeputetë, pavarësisht minutave të shkurtra që u jepen, të arrijnë të flasin edhe për incidentin e djeshëm, i cili ishte i paprecedent, si dhe për djegien e automjeteve diplomatike. Kjo është pronë e shtetit bullgar dhe unë personalisht e konsideroj si një cenim ndaj Bullgarisë”, deklaroi Iliana Jotova, Presidente e Bullgarisë.
Ndërkohë qeveria e vendit një ditë më parë dënoi ashpër sulmin kurse sot Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski tha se dhuna nuk do të tolerohet dhe se rasti i djegies së automjetit të Ambasadës së Bullgarisë është zbardhur shpejt.
“Personi që dyshohet për djegien e automjetit në pronësi të Ambasadës Bullgare u identifikua dhe u sigurua shumë shpejt nga Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare. Këto institucione u përfshinë në shkëmbimin e informacioneve kyçe lidhur me këtë ngjarje penale-juridike. Sipas informacioneve që kam dhe asaj me të cilën jam njoftuar nga shefi i Sektorit për Punë të Brendshme, Shkup, prokurori besoj se do ta zhvillojë këtë procedurë me procedurë urgjente”, deklaori Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Një ditë më parë, një person me inicialet I.D. (44) në Ambasadën e Bullgarisë në Shkup, u ka vënë zjarrin dy automjeteve zyrtare. Ai është arrestuar, ndërsa priten veprime nga autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit./Alsat.mk.








