Revizioni: Mungesë gjyqtarësh dhe sfida financiare në Gjykatën Supreme

Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi

Mungesë e gjykatësve, parregullsi në menaxhimin financiar dhe një numër i konsiderueshëm padish të ngritura nga punonjësit, janë disa nga gjetjet e Revizionit për Gjykatën Supreme për vitin 2024. Pavarësisht se ka një trend pozitiv, Revizioni thekson se në Gjykatën Supreme ka mungesë të konsiderueshme gjyqtarësh.

“Sipas analizës së numrit të lëndëve të zgjidhura, revizioni ka konstatuar një trend pozitiv të rritjes së tyre në vitet e fundit, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme po zvogëlohet numri i lëndëve të pazgjidhura në fund të vitit. Megjithatë, theksohet nevoja për plotësimin e vendeve të lira të gjyqtarëve. Sipas vendimit të Këshillit Gjyqësor, janë parashikuar 28 pozita, përfshirë edhe kryetarin e gjykatës, ndërsa deri në fund të vitit 2024 janë të plotësuara 11. Revizioni shton se në maj 2025 numri i gjyqtarëve është rritur në 14, përfshirë kryetarin e gjykatës”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Sipas raportit, në Gjykatën Supreme janë në zhvillim gjithsej 28 procedura gjyqësore nga të punësuarit kryesisht me të drejtat e punës, gjë që rëndon financiarisht buxhetin e gjykatës.

“Gjykata paraqitet si palë e paditur në bazë të padive të punonjësve lidhur me kompensime dhe të drejta nga marrëdhënia e punës, në shumën totale prej 4.280 mijë  denarësh. Meqenëse bëhet fjalë për procedura gjyqësore që janë ende në proces para gjykatave kompetente, deri në ditën e revizionit rezultati përfundimtar nuk është i njohur, prandaj ekziston pasiguri për implikimet financiare të buxhetit të Gjykatës Supreme në të ardhmen”, Enti Shtetëror i Revizionit.

Nga Revizioni tregojnë se pasqyrat financiare të Gjykatës Supreme janë të sakta dhe objektive, por theksojnë nevojën urgjente për forcimin e stafit dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button