BE monitoron projektin në Zvërnec, Kos: Standardet evropiane duhet të zbatohen

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar lidhur me protestat për ndërtimin e resortit në Zvërnec të Shqipërisë, duke theksuar se projekti duhet të zbatohet në përputhje me legjislacionin evropian, veçanërisht me Kapitullin 27 për mjedisin. Ajo bëri të ditur se Qeveria e Shqipërisë ka garantuar kryerjen e një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe respektimin e standardeve evropiane. Sipas saj, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, i cili monitorohet vazhdimisht, përbën garancinë për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit sipas standardeve evropiane.

“Sa i përket projektit në zonën e Pishporo-Nartë, ashtu si për të gjitha projektet e tjera të zhvillimit në Shqipëri, duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në kapitullin e mjedisit, pra me kapitullin 27 të procesit. Ky kapitull aktualisht është i hapur. Përpara se të mund të mbyllet, situata do të duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij aktualisht parashikohet deri në fund të vitit 2027. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse standardet përkatëse janë përmbushur. Ne kemi marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet europiane të mjedisit do të respektohen”, deklaroi Marta Kos, Komisionere e Bashkimit Evropian për Zgjerim.

Pas deklaratës së Kos, ka reaguar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke thënë se Komisioni Evropian është njohur me detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ditë më parë reagoi lidhur me projektin e debatueshëm në Zvërnec. KE ka shprehur shqetësimin se zhvillimi i planifikuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë mund të ketë pasoja të rëndësishme për mjedisin dhe të mos jetë në përputhje me detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimi Evropian. Sipas Komisionit, mbrojtja e zonave natyrore dhe respektimi i standardeve mjedisore mbeten elemente kyçe të procesit të integrimit evropian.

Në Tiranë, protestat kundër investimit të vajzës dhe dhëndrit të presidentit ameriakan Donald Tramp vijojnë prej më shumë se dy javësh. Çdo ditë, mijëra qytetarë dalin në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër, Rama ka përsëritur në disa raste se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projekti dhe se ai do të vazhdojë sipas planit të parashikuar./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button