Bytyqi siguron qytetarët: Do të ketë ngrohje qendrore

Bytyqi siguron qytetarët: Do të ketë ngrohje qendrore

Gazetar: Ile Petrevski

Në Shkup do të ketë ngrohje qendrore, pohon zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi. Njoftimi i djeshëm se Balkan Energy Group (BEG), ka hequr dorë nga furnizimi i energjisë termike nuk duhet të shqetësojë qytetarët, shton ai, dhe thotë se ligji është i qartë, BEG ka detyrim të punojë deri në përzgjedhjen përfundimtare të një kompanie të re. Bytyqi, i pyetur nga Alsat nëse shteti ka prokuruar mjaftueshëm gaz natyror për prodhimin e energjisë termike, tha se negociatat e kryera nga EMV janë drejt fundit, dhe gazi do të jetë në dispozicion deri në fund të sezonit të ngrohjes. Në të njëjtën kohë, shteti po negocion me kompaninë Adora, e cila është pronare e Ngrohtores në kryeqytet, me çfarë çmimi as do t’i marrë me qira ose do t’i shesë.

“Energjia termike për qytetarët sigurisht që do të jetë aty dhe mendoj se të gjithë sillen me arsye në këtë periudhë dhe do të ndodhë. Qytetarët duhet të jenë të qetë. EMV ose BEG do të lëshojë ngrohje? Pavarësisht, nëse EMV apo BEG, qytetarët do të kenë energji termike”, deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendës Kryeministër për çështje Ekonomike.

24 orë më parë BEG doli me deklaratë në të cilën tha se nuk ka ndërmend të japë energji termike.

“BEG kishte detyrim ligjor për të vazhduar ushtrimin e aktivitetit, deri në skadimin e afatit 90-ditor për përzgjedhjen e një kryerësi të ri të aktivitetit, i cili tashmë ka skaduar”, njoftojnë nga BEG.
U prononcuan edhe nga Rregullatori. Ligji për energjinë është i qartë, deri në zgjedhjen e një operatori të ri të aktivitetit energjetik, detyrimi i operatorit aktual për të ofruar aktivitet publik nuk përfundon.

“Detyrimi për të kryer veprimtarinë publike të prodhimit të rregulluar të energjisë termike përfundon në ditën e lëshimit të licencës”, thonë nga Komisioni Rregullator për Energjetik.

Sezoni i ngrohjes nis zyrtarisht më 15 tetor. Deri atëherë, autoritetet kanë një afat kohor për t’u dhënë leje pune kompanive që i formoi EMV-ja për prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin e energjisë termike. EMV ishte e vetmja kompani që konkurroi në thirrjen publike të qeverisë për marrjen e aktivitetit nga Balkan Energy Group. Kompania private hoqi dorë nga ky biznes për shkak të rritjes së madhe të çmimit të gazit natyror, i cili për shkak të luftës në Ukrainë është shtrenjtuar mbi 10 herë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button