Gazetar: Mihajllo Donev
Një i dënuar 79-vjeçar nga Veles do të jetë personi i parë në vend që do të pajiset me hallkë elektronike. Nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve nuk precizojnë se kur saktësisht personi do ta marrë byzylykun, por konfirmojnë se ai do të jetë i pari që do të vuajë dënimin tremujor në shtëpinë e tij me hallkë elektronike në këmbë.
“Vendimi i parë me të cilin është shqiptuar arresti shtëpiak është marrë nga Gjykata e Velesit. Ai i referohet një personi të dënuar 79-vjeçar, të cilit i është shqiptuar arresti shtëpiak për një periudhë prej 3 muajsh. Personi kërkoi që Gjykata të shtyjë ekzekutimin e dënimit, por kjo kërkesë u refuzua, që do të thotë se vendimi së shpejti do të fillojë të ekzekutohet”, njoftojnë nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve.
Nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve thonë se deri tani ky është vendimi i vetëm i këtij lloji, megjithatë, sipas informacioneve të fundit të publikuara në maj të këtij viti, gjithsej 60 të dënuar kanë aplikuar për të marrë hallkë elektronike përmes avokatëve të tyre. Qëllimi i futjes së hallkave është të ulet mbipopullimi në burgje. Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, më herët gjatë vitit ka deklaruar publikisht disa herë se burgjet kanë kaluar kapacitetet, duke bërë që në qelitë e paracaktuara për katër persona të qëndrojnë shumë më tepër të burgosur. Të dhënat e fundit tregojnë se në burgjet e vendit ka rreth 2.300 të burgosur dhe mbi 400 të paraburgosur, ndërsa një i burgosur i kushton shtetit mbi 2.000 denarë në ditë. Nga Drejtoria njoftuan se prioritet për hallkat elektronike do të kenë: personat e moshuar dhe të plogësht, gra shtatzëna ose nëna me fëmijë të vegjël, si dhe persona me sëmundje të rënda ose me aftësi të kufizuara. Vetë burgu mund të kërkojë vendosjen e hallkës për një të burgosur, ndërsa Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve ka formuar tashmë një departament për mbikëqyrje elektronike. Çdo hallkë elektronike posedon edhe një ruter, me çka nëse personi që mban atë lëviz larg perimetri, përmes kartës SIM dërgon sinjal me çka intervenon Drejtoria duke kontaktuar personin dhe më pas kërkohet asistenca e policisë. /Alsat.mk








