Carovska: Ndryshimet në lëndën e historisë nuk bëhen për të përmbushur kërkesat Bullgarisë

Lënda e historisë dhe të gjitha njësitë mësimore të saja do të vazhdojnë të mësohen nga nxënësit, pavarësisht ndryshimeve në konceptin e ri për arsim. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska në emisionin 360 gradë në Alsat përsëriti se këto ndryshime nuk bëhen me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Ajo tha se koncepti i ri në arsim parashikon organizimin e lëndëve mësimore me qëllim arritjen e rezultateve më të mira te nxënësit.

 Të gjitha lëndët do të mbeten dhe do të mësohen në mënyrë më thelbësore dhe në mënyrë më cilësore. Sepse, përmes procesit të integrimit lejojmë që nxënësi të kuptojë kontekstin e një ngjarjeje historike. Qëllimi i fillimit të reformave nuk ishte se çfarë do të bëjmë me historinë por filloi me atë se si t’i përmirësojmë rezultatet në testimet ndërkombëtare dhe dituritë e nxënësve- Carovska.

Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit thanë se koncepti i ri në arsimin fillor tashmë një kohë të gjatë ishte kërkuar nga mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit. Në anketën e realizuar nga Byroja, mbi 80 % e mësimdhënësve janë shprehur se reformat janë të domosdoshme.

Më shumë se 60 % e tyre janë të mendimit që duhet të ndryshohet plani mësimor, e plani mësimor është ai dokument që përcakton numrin e orëve, lëndëve mësimore dhe përfaqësimin e tyre në vet planin mësimor- pohoi Ajshe Ajrullai, Byroja për Zhvillimin e Arsimit.

Reformat e reja në arsim parashikohen të zbatohen nga viti i ardhshëm shkollor 2020-21. Paralajmërimet për këto reforma u kritikuan ashpër nga njohësit e arsimit të cilët i cilësuan si të përshpejtuara dhe të panevojshme.

 

Melihate Rustemi

 

LEXO EDHE:

Back to top button