Gazetar: Suad Bajrami
Mungojnë rreth 25 vota për t’u arritur censusi për Komunën e Gostivarit mëson Alsat. Dalja e votuesve sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor është 31,31%, ndërsa sipas Kodit Zgjedhor për t’u arritur kushti duhet që të dalin një e treta nga lista e votuesve, respektivisht mbi 33,33%. Megjithatë, gjatë ditës në KSHZ arrijnë procesverbalet zyrtare nëpërmjet të cilave pritet të konfirmohen rezultatet përfundimtare nga vendvotimet. Procesverbalet mund të ndryshojnë rezultatin në rast se të dhënat e dërguara me porosi sms nuk kanë qenë plotësisht të sakta. Në rast se arrihet censusi, atëherë kandidati i AKI-së Valbon Limani e fiton garën në rreth të parë me 61,39% të votave. Censusi zyrtarisht nuk është arritur në Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë, ku do të duhet prej fillimit të shpallen zgjedhjet dhe të përsëritet tërë procedura e zgjedhjeve.
Ndërkohë gara për të parin e Komunës së Tetovës, e cila në këto zgjedhje u cilësua me rëndësi të veçantë politike, do të vazhdojë në raund të dytë i cili do të mbahet më 2 nëntor. Kandidati i VLEN-it BIlall Kasami, gjatë ditës së djeshme shpalli fitoren me mbi 9% apo 3.756 vota epërsi ndaj kandidatit të AKI-së Bajram Rexhepi.
Në balotazh do të jetë edhe Kërçova, ku gara do të vazhdojë mes Aleksandar Jovanovskit të VMRO-DPMNE-së i cili në rreth të parë fitoi 44,90% të votave dhe Fatmir Deharit të AKI-së i cili mori 21,28%.
Në Strugë, në rreth të dytë përballen kandidati i pavarur Mendi Qyra i cili dje fitoi 200 vota më shumë se Arsim Dalipi i AKI-së. Ndërkohë në Dibër, në balotazh do t’i matin forcat kandidati i VLEN-it Fisnik Mela dhe kandidati i pavarur Ramdan Imeri. Gjatë ditës së djeshme, Mela doli në epërsi rreth 700 vota ndaj Imerit.
Balotazh do të ketë gjithashtu edhe në Bërvenicë, ku kandidati i VMRO-DPMNE-së, Jovica Ilievski i cili dje mori 46% të votave do të përballet me Haqim Ramadanin e VLEN-it, i cili dje mori rreth 28% të votave.
Ndërkohë, garë e ngushtë gjatë ditës së djeshme u zhvillua edhe në Bogovinë, ku Feti Abazi i VLEN-it fitoi garën me epërsi prej 88 votash ndaj kandidatit të AKI-së Besnik Emshi, megjithatë meqë asnjëri prej kandidatëve nuk kanë marrë mbi 50% të votave edhe në këtë komunë do të ketë rreth të dytë.
Gara në rreth të parë ka përfunduar në Zhelinë. Blerim Sejdiu i VLEN-it ka shënuar fitore me mbi 1 mijë vota epërsi ndaj Emir Sulejmanit të AKI-së. Fitore në rreth të parë ka shpallur edhe Daut Memishi i VLEN-it në Tearcë, i cili ka fituar rreth 1.400 vota më shumë se Nazim Taipi i AKI-së. Ndërkohë në Çashkë, për herë të parë në historinë e kësaj komune do të ketë kryetar shqiptar. Suat Shaqirov i cili garoi nën logon e AKI-së, por u mbështet nga të gjithë shqiptarët e Çashkës si kandidat i vetëm shqiptar, fitoi garën përballë kandidatëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. /Alsat.mk








