Chollet: Asociacioni vetëm sipas Kushtetutës, jo Republikë Serbe në Kosovë

Chollet: Asociacioni vetëm sipas Kushtetutës, jo Republikë Serbe në Kosovë

Këshilltari i lartë i DASh-it, Derek Chollet, gjatë vizitës së djeshme në Kosovë, tha se lidhjet mes ShBA-së dhe Kosovës mbesin shumë të forta.

Ai tha se presidenti Joe Biden, Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe zyrtarë të tjerë kanë një histori të gjatë me Kosovën.

Chollet tha se “kemi kaluar një pjesë të madhe të jetës sonë profesionale duke u përpjekur të punojmë me Qeverinë dhe me njerëzit në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”.

Ai tha se SHBA-ja ndan vizionin për të ardhmen e Kosovës multietnike, të pavarur, sovrane, të sigurt, prosperuese dhe demokratike, dhe “ndajmë vizionin e Kosovës për integrim të plotë në strukturat euroatlantike dhe evropiane dhe të marrë vendin e merituar si anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare”.

Tutje, Chollet foli për dialogun në mes Kosovës e Serbisë, ku tha se ShBA-ja beson se tani është një moment kritik.

“Besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e lehtësuar dhe udhëhequr nga BE-ja dhe të punojnë në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes vendeve me një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke”.

Më tej, ai tha se ShBA-ja e mbështet plotësisht dialogun dhe se sipas tij, dialogu është mjeti më i mirë për Kosovës që ta sigurojë të ardhmen euroatlantike, teksa përmendi edhe obligimet që ka marrë Kosova, me theks të veçantë, themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”, u shpreh Chollet, njofton Klankosova.tv.

Si SHBA-ja, ashtu edhe Kosova, tha ai, është vend divers me shoqëri multietnike dhe shtoi se SHBA-ja beson se “diversiteti i bën vendet tona më të forta”.

“Qeveria e Kosovës duhet ta kremtojë këtë diversitet dhe duhet të themelojë politika që zbatohen për të gjithë kosovarët, pavarësisht etnisë së tyre”, theksoi këshilltari i DASH-it.

Ai tutje tha se presin nga Qeveria e Kosovës që të paraqesë disa propozime në tavolinë rreth çështjes së Asociacionit, teksa shtoi: “Ne nuk përkrahim dhe nuk do të përkrahim diçka si Republika Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të mbështes çfarëdo marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015” sa i përket Asociacionit.

“Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe ne besojmë që formimin e tij e bën ligjërisht obliguese për Qeverinë e Kosovës”, është shprehur Chollet.

Chollet tha se tash është koha që t’i përvishen punës, teksa bëri të ditur se mesazhi që ua kanë dhënë edhe Kosovës edhe Serbisë është që energjia diplomatike e ShBA-së të shpenzohet në të ardhmen euroatlantike të Kosovës dhe jo në meanxhimin e krizave.

LEXO EDHE:

Back to top button