Cila është ngjyra e preferuar e shumicës së njerëzve dhe pse?

Cila është ngjyra e preferuar e shumicës së njerëzve dhe pse?

Kjo është ngjyra e preferuar e shumicës së njerëzve në botë – dhe ajo më pak e preferuara.

Ndërsa mjetet statistikore u përmirësuan ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, studiuesit ishin gati të shtronin pyetjen: ‘Cila është ngjyra juaj e preferuar?’

Mesa duket, të gjithëve u pëlqente bluja.

Studimet që në vitin 1941 treguan se nuancat e kaltra ishin më të preferuarat.

Këtë vit madje, ngjyra më e preferuar në botë u deklarua si një nuancë e veçantë e blusë jeshile bazuar në një sondazh me 30,000 persona në 100 vende të ndryshme të botës.

Siç rezulton, edhe republikanët – ngjyra e të cilëve është e kuqja – në përgjithësi preferojnë gjithashtu ngjyrën blu.

Një tjetër pyetje e shtruar nga psikologët ishte pse ekzistonte kjo preferencë në krye të herës?

Sipas hulumtimit të kryer nga psikologët Stephen E. Palmer dhe Karen Schloss, përgjigja nuk gjendet në ADN-në tonë. Studimi i tyre supozon se preferenca e një personi për një ngjyrë të caktuar mund të përcaktohet duke vlerësuar se sa shumë i pëlqejnë atij objektet që e lidhin me atë ngjyrë.

Prirja juaj për portokalli, për shembull, varet nga mënyra se si ndiheni për kungujt dhe karotat apo edhe patatinat Cheetos, ndërsa për ngjyrën e gjelbër mund të kenë të bëjnë ndjesitë tuaja për gjethet, brokolin apo edhe dollarin amerikan!

“Rezulton se nëse shikoni të gjitha gjërat që lidhen me blunë, ato janë kryesisht pozitive,” shpjegon Schloss, një asistent profesor i psikologjisë në Universitetin e Wisconsin-Madison.

“Është vërtet e vështirë të mendosh për gjëra negative që kanë ngjyrën blu. Shumë gjëra që ne i mendojmë si blu dhe të këqija nuk janë në të vërtetë aq blu. Myku blu, për shembull, në fakt priret drejt të gjelbrës ndërsa mavijosjet janë shpesh më të purpurta ose të verdha sesa blu,” – shpjegon ai.

Ne e lidhim blunë kryesisht me qiellin dhe ujin (si dhe artikujt më të zakonshëm, por neutralë si stilolapsat dhe xhinset blu), duke e ngritur preferencën mesatare për blunë më lart se pjesa tjetër e ylberit të ngjyrave.

Ashtu si bluja del gjithmonë në krye në sondazhe, ngjyrat e verdha të errëta pothuajse gjithmonë përfundojnë në fund.

“Ngjyrat mustardë, ulli, okër mund të kenë disa gjëra që lidhen pozitivisht me to,” vëren Schloss, “por ato kanë gjithashtu shumë lidhje negative – mbetjet biologjike dhe shumë gjëra të rënda që nuk do t’i hyj tani.”

Schloss ka zbuluar gjithashtu se preferencat e ngjyrave ndryshojnë në varësi të kohës së vitit, të lidhura me ndryshimin e stinëve.

Në mënyrë tipike, ngjyrat e vjeshtës – e verdha e artë, kafe, e kuqe e errët etj, – janë më pak të pëlqyera në rrotën e ngjyrave.

Por sondazhet e kryera në vjeshtë zbulojnë një preferencë të shtuar për këto nuanca të errëta dhe të ngrohta, kur pjesëmarrësit i lidhin më së afërmi ato me gjëra festive të kësaj stine.

Dhe shijet mund të ndryshojnë edhe më shpejt. Në ditën e zgjedhjeve, për shembull, preferenca e partisë së republikanëve për të kuqen rritet në krahasim me pjesën tjetër të vitit kur ngjyra e tyre e preferuar mund të ketë qenë në fakt bluja.

“Unë mendoj se nocioni i një ‘ngjyre të preferuar’ e bën të duket sikur mund të jetë një tipar i qëndrueshëm në një individ,” thotë Schloss. “Ajo që po zbulojmë është se, po, mund të ketë disa aspekte të qëndrueshme të preferencave të ngjyrave. Por ato janë gjithashtu tejet dinamike dhe pasqyrojnë ndryshimet në preferencat e njerëzve dhe gjërat që janë në mendjet e tyre në një moment të caktuar kohor.”/euronews.al/

LEXO EDHE:

Back to top button