Çmimet e karburanteve po rriten sërish

Gazetar: Angell Dimovski

Karburantet po rriten sërish. Benzina dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri rriten për dy denarë e gjysmë, ndërsa dizeli për dy denarë. Komisioni Rregullator për Energjetikë ka marrë vendim me të cilin nga mesnata çmimet e derivateve të naftës rriten për 3,47%.

Çmimet referente të të gjitha derivateve të naftës në tregun botëror, në krahasim me përllogaritjen e mëparshme, shënojnë rritje mesatare si vijon: benzina për 5,324%, dizeli për 2,817%, vaji ekstra i lehtë për 3,394% dhe te mazuti rritja është 8,305%.

Komisioni Rregullator për Energjetikë:

“Benzinë motorike EUROSUPER BS – 95: 85,00 den/litër (rritet për 2,50 denarë)
Benzinë motorike EUROSUPER BS – 98: 87,00 den/litër (rritet për 2,50 denarë)
Karburant dizel EURODIZEL BS (D-E V): 93,50 den/litër (rritet për 2 denarë)
Vaj për djegie Ekstra i lehtë 1 (EL-1): 98,50 den/litër (rritet për 2,50 denarë)
Mazut M-1 NS: 49,720 (denarë/kilogram) (rritet për 3,064).”

Këto janë çmimet maksimale, ndërsa kompanitë, nëse dëshirojnë, mund të shesin edhe me çmime më të ulëta. Ndërkohë, zbritjen për karburantet kompania Okta e ka vazhduar deri më 18 maj, ku kompanitë që furnizohen nga kjo kompani mund ta shesin benzinën për dy denarë më lirë nga çmimi maksimal, ndërsa dizelin për tre denarë më lirë.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se nuk planifikohet ulja e TVSH-së për dizelin me qëllim uljen e çmimit. Ai u mburr se jemi një shtet që, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, renditet ndër tre vendet e para në Evropë.

“Jo, nuk planifikojmë. Ne jemi shtet që, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, renditet ndër tre vendet e para në Evropë sipas masave të aplikuara në raport me përqindjen e bruto produktit vendor. Qytetarët nga vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Greqinë dhe Serbinë, e kanë rritur konsumin në pikat e karburantit në Maqedoni, në ditë të caktuara deri në 30%. Ne jemi krenarë që mund të ndikojmë për një standard më të lartë për qytetarët e vendeve fqinje, si Serbia, Greqia, Shqipëria dhe Kosova, si dhe pjesërisht Bullgaria”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Në bursën botërore çmimet e naftës këtë mëngjes u ulën pasi presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA-të do të nisin përpjekje për t’u ndihmuar anijeve të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit, por mungesa e një marrëveshjeje paqeje mes SHBA-së dhe Iranit e mbajti tregun të mbështetur mbi 100 dollarë.

Por, për një periudhë të shkurtër, çmimi sërish e kaloi nivelin prej 109 dollarësh për fuçi, pavarësisht paralajmërimit nga Uashingtoni për një operacion ushtarak me qëllim zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit. Në tregje ndihet pasiguri, ndërsa indekset evropiane të bursave shënojnë rezultate të përziera.

Ndryshe, javën e kaluar çmimi i naftës në bursë arriti në 126 dollarë për fuçi, duke thyer rekordin e katër viteve të fundit dhe duke arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i konfliktit mes Iranit dhe Izraelit./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button