Një zjarr i madh shpërtheu në një deponi në lagjen Vizbeg
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Zjarri ka shpërthyer rreth orë 12:00 në një deponi në lagjen e Vizbegut, ku u dogjën goma dhe metale të rënda. Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka përfshirë një sipërfaqe më të madhe brenda objektit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë punuar për vënien nën kontroll të flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre në objekte përreth.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftuan se zjarri është nën kontrolle dhe nuk ka rrezik për përhapjen e tij.
“Brigada për mbrojtje nga zjarri e Qytetit të Shkupit ka intervenuar me dy automjete zjarrfikëse. Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk ka rrezik për përhapjen e tij, pasi parcela është e rrethuar me mure”, thanë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
-Është intervenuar me dy automjete
-Nuk ka rrezik për përhapje
Në teren dolën inspektorë nga Qyteti i Shkupit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Prokuroria Publike. Situata po monitorohet vazhdimisht, dhe institucionet po veprojnë në mënyrë të koordinuar për të vënë zjarrin nën kontroll. Nga Qyteti i Shkupit thonë se sjellja e papërgjegjshme nuk do të tolerohet, veçanërisht krijimi i deponive të paligjshme që paraqesin një rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin. Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen dhe pritet të hetohen nga autoritetet kompetente./Alsat.mk.








