Përplasje në komision: Kundërshtohet propozimi për Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Manastir
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Propozim-ligji për themelimin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Shëndetësore në kuadër të Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir ka kaluar në lexim të parë. Gjatë debatit në komisionin amë, pati përplasje mes Fronti Evropian dhe VMRO-DPMNE. Sipas opozitës shqiptare, ky propozim ligj është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë.
“Ajo që e bënë këtë ligj edhe më problematik është kontradikta e qartë me politikën që vet shumica po promovon. Nga njëra anë në emër të racionalizimit dhe numrit të madh të programeve flitet për mbyllje ose reduktim të programeve ekzistuese, nga ana tjetër me këtë ligj krijohet një fakultet i ri si subjekt juridik i veçantë. Kjo është një kontradiktë e hapur”, deklaroi, Arbana Pasholli, deputete e Forntit Evropian
Nga VMRO-DPMNE kundërshtojnë këto pretendime, duke theksuar se propozim-ligji është hartuar mbi bazën e nevojave reale të sistemit arsimor dhe shëndetësor. Ata gjithashtu sqarojnë se mbyllja e disa programeve studimore lidhet me mungesën e interesimit nga ana e studentëve.
“Mbyllen studime programore ku nuk ka interes, ku kanë pas interes dy tre studentë dhe ato normalisht do të mbyllen. Në këtë fakultet, konkretisht në këtë shkollë mjekësore të lartë momentalisht ka interes shumë të madh. Regjistrohen nga shumë qytete askush nuk e ka të ndaluar i gjithë rajoni regjistrohet…Thatë se nuk është bërë analizë, në fakt është bërë…kjo nuk është zgjidhje ah hoc, por e bazuar në të dhëna konkrete ku kuadri mjekësor është deficit”, u shpreh, Sillvana Angellevska, deputete e VMRO-DPMNE
Ligji synon themelimin e një fakulteti të ri publik në kuadër të Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, me programe bachelor, master dhe doktoraturë. Parashikohen studime 4 vjeçare për infermieri, mami dhe biokimi mjekësore, si dhe programe 3 vjeçare profesionale për profile shëndetësore. Fakulteti pritet të nisë punë vitin e ardhshëm akademik./Alsat.mk.








