CNN: Shkencëtarët kanë krijuar një ‘superdru’ – 10 herë më të fortë se çeliku
CNN: Shkencëtarët kanë krijuar një 'superdru' - 10 herë më të fortë se çeliku
Një kompani amerikane ka zhvilluar një lloj të ri druri që pretendon se ka deri në 10 herë raportin e fortësisë ndaj peshës së çelikut dhe është deri në gjashtë herë më i lehtë. “Superdruri” sapo është lançuar si produkt komercial nga InventWood, një kompani e bashkëthemeluar nga shkencëtari i materialeve Liangbing Hu, raportoi CNN.
Megjithatë, qëllimi i tij i vërtetë ishte ta bënte drurin më të fortë, duke përdorur celulozën – përbërësin kryesor në fibrat bimore dhe, siç e thotë Hu, “biopolimeri më i bollshëm në planet”. Zbulimi i madh erdhi në vitin 2017, kur Hu e forcoi për herë të parë drurin e zakonshëm me një trajtim kimik që përmirësoi celulozën e tij natyrale, duke e bërë atë një material ndërtimi shumë më të mirë. Druri zihet së pari në ujë me kimikate speciale, pastaj shtypet në të nxehtë për të ngjeshur strukturën qelizore dhe për ta bërë atë më të dendur. Në fund të procesit, druri që rezultoi kishte një raport fortësie ndaj peshës më të lartë se shumica e metaleve dhe lidhjeve, sipas një studimi të botuar në revistën Nature.
Pas vitesh të tëra përsosjeje të procesit dhe më shumë se 140 patentave të paraqitura, Hu lançoi Superwood si një produkt komercial.
“Nga një këndvështrim kimik dhe praktik, është ende dru”, shpjegon Drejtori Ekzekutiv i InventWood, Alex Lau, i cili iu bashkua kompanisë në vitin 2021.
Në ndërtim, kjo do t’i bënte ndërtesat deri në katër herë më të lehta se ato të sotmet, tha Lau – që do të thotë se ato do të ishin më rezistente ndaj tërmeteve dhe themelet do të përballonin më pak stres, duke e bërë ndërtimin më të shpejtë dhe më të thjeshtë.
“Duket si dru, sillet si dru – përveçse është shumë më i fortë dhe më i mirë në pothuajse çdo aspekt që testuam”, shtoi Lau.
InventWood prodhon Superwood në fabrikën e saj në Frederick, Maryland, dhe megjithëse procesi tani matet me orë në vend të ditëve, duhet kohë për të rritur prodhimin, thotë Lau.
Fillimisht, ata do të përqendrohen në aplikime të jashtme si tarracat dhe veshjet e fasadave, dhe më vonë në elementët e brendshëm si panelet e mureve, dyshemetë dhe mobiljet.
«Njerëzit shpesh ankohen se mobiljet shtrembërohen ose thyhen me kalimin e kohës, zakonisht në nyjet metalike, sepse druri nuk është mjaftueshëm i fortë», thotë Lau. «Superwood mund t’i zëvendësojë ato pjesë – dhe madje edhe vidat, gozhdët dhe elementët e tjerë metalikë që e lidhin atë».
Në të ardhmen, Lau parashikon se një ndërtesë e tërë mund të ndërtohet nga Superwood, por kjo do të kërkojë testime të mëtejshme. Ashtu si në eksperimentin e parë të Hu-së, druri forcohet nga një proces kimik që ndryshon strukturën bazë të celulozës dhe e kompreson atë fort pa e rikthyer atë në formën e saj origjinale.
«Teorikisht, ne mund të përdorim çdo lloj druri», thotë Lau. «Në praktikë, ne testuam 19 lloje druri, si dhe bambu – dhe funksionoi me të gjitha ato».
InventWood pohon se Superwood është deri në 20 herë më i fortë se druri i rregullt dhe deri në 10 herë më rezistent ndaj goditjeve dhe gërvishtjeve, sepse struktura natyrale poroze e drurit është e ngjeshur dhe e ngurtësuar. Si rezultat, është rezistent ndaj kërpudhave dhe insekteve, dhe në testet e rezistencës ndaj zjarrit merr vlerësimin më të lartë. Aktualisht, Superwood është më i shtrenjtë se druri i rregullt dhe ka një gjurmë më të madhe karboni për të prodhuar, por Lau thekson se emetimet e karbonit janë 90% më të ulëta se prodhimi i çelikut.
“Qëllimi ynë nuk është të jemi më të lirë se druri, por të jemi konkurrues me çelikun”, tha Lau, duke vënë në dukje se me një prodhim më të madh, kostot do të ulen.
Forma të tjera të drurit të përpunuar kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, por InventWood thekson se ato përbëhen nga copa druri të bashkuara mekanikisht duke përdorur ngjitës, ndërsa Superwood modifikohet në nivel molekular. Përdorimi i drurit në ndërtim është rritur përsëri vitet e fundit, dhe sot madje ndërtohen edhe rrokaqiej nga druri.
Aktualisht, betoni është ende materiali i ndërtimit më i përdorur gjerësisht në planet. Edhe pse prodhimi i tij është ngadalësuar, betoni ende shkakton rreth 7% të emetimeve të dioksidit të karbonit në botë.









