Daka: Kërcënimet ndaj meje, të paprecedentë dhe të rrezikshëm
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se akuzat e partive politike ndaj saj dhe ndaj institucionit që udhëheqë, kanë për qëllim që të “pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.
Në një konferencë për media të enjten, Daka tha se kërcënimet publike ndaj saj dhe “shqetësimet që po i përjeton familja ime janë të paprecedentë dhe të rrezikshëm”.
Ajo nuk tregoi specifikisht se nga cila parti ka pranuar kërcënime dhe nuk pranoi pyetje lidhur me atë se kush po e kërcënon.
Këto deklarata të Dakës vijnë vetëm një ditë pasi KQZ-ja njoftoi se ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ku thuhej se 47 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk janë përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit.
Daka tha se ajo do ta zbatojë këtë ligj dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit të kaluar për rastin e deputetit Etem Arifi.
“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë veten në listën e Këshillit Gjyqësor si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidatë për deputetë, do t’u them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: është ligji, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”, tha Daka, duke shtuar se çdokush që mendon se i është bërë e padrejtë mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe në Gjykatën Supreme.
“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështetë asnjë parti politike dhe që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e partive politike”, tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Komisioni Qendror i Zgjedheve ka thënë se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatitë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Këto rekomandime do të paraqiten më pas në mbledhjen e KQZ-së. Vendimin për aprovim ose refuzim, KQZ-ja do ta marrë më së largu deri më 22 janar.
Subjektet politike apo kandidatët që nuk certifikohen mund të bëjnë ankesa deri më 31 janar, ka njoftuar KQZ-ja të mërkurën.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është nga 47 kandidatët që nuk do të mund të garojë si deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të enjten komentoi njoftimin e KQZ-së, ku tha se ai është “bartës liste”.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, për pjesëmarrje kanë kandiduar 28 subjekte politike me 10,080 kandidatë për deputetë.