Data qendrat marrin status të veçantë: ndryshojnë rregullat për ndërtimin dhe energjinë

Gazetar: Angell Dimovski

Propozim-ligji i ri për plotësim të Ligjit për ndërtim ka kaluar leximin e parë. Ai parashikon dy risi kryesore që rregullojnë ndërtimin e infrastrukturës IT dhe kapaciteteve për energji të gjelbër. Ligji parashikon që “data qendrat”, ose objektet për ruajtjen e të dhënave digjitale, si dhe të gjitha ndërtimet me rëndësi shtetërore, të marrin statusin e ndërtimeve të kategorisë së parë. Kjo nënkupton që të gjitha lejet për ndërtim, zgjerim, rikonstruksion dhe përdorim të tyre do të lëshohen dhe administrohen në mënyrë të centralizuar në nivel shtetëror.

“Meqë askush nuk kërkon fjalë, e mbyll diskutimin dhe ju njoftoj se Komisioni për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor e përcjell Propozim-ligjin për plotësim të Ligjit për ndërtim në procedurë të mëtejshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.” – Toni Jarevski – Deputet i VMRO-së.

Përveç kësaj, me ndryshimet parashikohet që magazinat e energjisë elektrike ose sistemet e baterive që ndërtohen në kuadër të centraleve diellore, të erës apo hidrocentraleve, të regjistrohen në Agjencinë për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme. Ligji parashikon që vendimi i formës së prerë për vendosjen e tyre të shërbejë si bazë juridike për regjistrimin e tyre, por me kusht që ato të vihen në funksion vetëm pasi një inxhinier mbikëqyrës të kryejë kontroll teknik dhe të përgatisë raport zyrtar.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se për ndërtimin e këtyre qendrave do të zgjidhen lokacione që nuk do t’i shkaktojnë dëm askujt.

“Kemi disa dhjetëra kompani të interesuara, po bisedojmë dhe po negociojmë. Sigurisht do të zgjidhen lokacione që nuk do të kenë asnjë ndikim në mjedisin jetësor.” – Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Partia opozitare E Majta alarmoi se ndërtimi i data qendrave mund të shndërrohet në konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike pa përfitime të konsiderueshme shoqërore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button