Debat i ashpër në Kuvendin e Shqipërisë rreth deklaratës së Ramës për Veriun e Kosovës
Debat i ashpër në Kuvendin e Shqipërisë rreth deklaratës së Ramës për Veriun e Kosovës
Përplasje të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë rreth deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama për Kosovën. Mazhoranca vendosi që më 12 tetor kuvendi të miratojë një rezolutë që do të dënonte sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, por deputetët e opozitës kërkuan që kjo të ndodh menjëherë.
Ata debatin e përqendruan në deklaratën e Ramës se “veriu është tokë e askujt”. Deputeti i PD-së Sali Berisha i quajti deklaratat e Ramës si antishqiptare.
“Nuk ka deklaratë më antishqiptare, më të shpifur se kjo deklaratë. Pse e fali jetën Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, që aty të sundojë rendi, ligji. Çfarë mund t’i quash këtij “krim-ministër” të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij Aleksander Vuçiç dhe tani kërkojnë ta mbulojnë këtë me deklarata të turpshme”, tha Sali Berisha, deputet i PD-së.
“Deklarata e djeshme që veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt është skandaloze. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, për të janë vrarë 1500 fëmijë. Duhet të dënojmë sulmin që bënë serbët, me qëllim aneksimin e Kosovës”, thotë Ramadan Likaj, deputet i PD-së.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, u shpreh se deklarata e Ramës ishte korrigjuar nga “Financial Times” ndërsa nuk duhet të bëhet objekt debati lapsusi i një gazete. Ai tha se Kosova është interes kombëtar.
“Edhe nëse do të kishim ne ndasi politike dhe dallime, sot duhet të tregonin anën tjetër të medaljes, duhet të tregonim ne që sado të ndryshonim jemi, sado që kemi mazhorancë me opozitë kemi mosmarrëveshje dhe dallime, ndoshta brenda opozitës mund të ketë nën dallime, ne bëhemi njësh dhe jemi të gjithë bashkë kur vjen fjala për interesin tonë kombëtar dhe Kosova është prioriteti kryesor i të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha partive politike”, tha Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë.
Në një intervistë për britaniken “The Financial Times” pas tensioneve në veri, Rama e konsideroi Kosovën një pikë të nxehtë. “Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, theksoi Rama. Por për këtë deklaratë, më vonë ka reaguar gazetari i “The Financial Times”, i cili ka thënë se deklarata e kryeministri Edi Rama është keqkuptuar, pasi Rama po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin. /Alsat.mk