Debat presidencial për integrimin në BE

Debat presidencial për integrimin në BE

Gazetar: Lluka Andreev

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë nevojë për simbolizëm politik, por për një vendim politik konkret në rrugën e integrimit evropian, tha presidenti Stevo Pendarovski. Ai i bëri thirrje BE-së të marrë vendim për integrim më të shpejtë në samitin e ardhshëm të dhjetorit, në vend që ta shtyjë çështjen deri pas zgjedhjeve evropiane të vitit të ardhshëm, shkruan Alsat.

Pendarovski theksoi se zgjerimi ishte zgjatur për shumë vite sepse vendet kandidate nuk kishin zbatuar reforma, por edhe BE nuk ishte e gatshme për zgjerim.

Tani, siç thotë ai, me luftën në Ukrainë ka një kontekst të ri gjeopolitik, por sipas tij, dinamika e procesit të zgjerimit nuk duhet të varet nga krizat dhe luftërat.

“Presidentja e Komisionit Evropian shpesh promovon idenë e BE-së si një lojtar gjeopolitik global. Por nëse vërtet ka ambicie për të qenë një lojtar gjeopolitik, BE-ja duhet së pari të përfundojë dhe të sigurojë hapësirën e saj gjeopolitike evropiane përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor. Zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset në Bosnjë dhe Hercegovinë janë një kujtesë se nuk duhet anashkaluar çështjet e hapura”, theksoi Stevo Pendarovski – President.

Ish-presidenti Branko Cërvenkovski, nga ana tjetër, vlerësoi se Bashkimi Evropian ishte joparimor në rrugën drejt integrimit evropian, pasi u ngritën çështje që nuk kishin lidhje me kriteret e Kopenhagës. Në këtë kontekst, ai tha se ka lindur një mosmarrëveshje me Bullgarinë që sfidon identitetin maqedonas dhe vazhdimësinë historike.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim, të kërkojmë së bashku nga BE qasje në tregun e përbashkët evropian dhe në fondet strukturore të Bashkimit. Jo si një alternativë për anëtarësim të plotë, por si një hap i ndërmjetëm që do të na përgatisë më tej për integrim të plotë”, u shpreh Branko Cërvenkovski – ish-president.

Duke folur për zgjerimin e BE-së, ish presidenti kroat Stipe Mesiq theksoi se ende nuk ka disponim midis të gjithë anëtarëve për këtë proces, ndërsa ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu bëri thirrje për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Lufta në Ukrainë ka ndikuar që udhëheqësit e BE-së të njoftojnë mundësinë e rritjes së anëtarësimit të tyre nga 27 në 36 vende. Por duhet të jetë e qartë për të gjithë se tani për tani ky është vetëm një vizion gjeostrategjik”, tha Stipe Mesiq – ish President i Kroacisë.

Kryetarët aktualë dhe të mëparshëm të shteteve dhe qeverive nga rajoni dhe më gjerë mbajtën sot prezantimet e tyre në forumin “Zgjerimi i BE-së në udhëkryq” në Shkup, organizuar nga OJQ “Klubi i Podgoricës”.

LEXO EDHE:

Back to top button