Debati në Kuvend, akuza dhe justifikime të përsëritura rreth ligjeve për Korridoret 8 dhe 10D

Debati në Kuvend, akuza dhe justifikime të përsëritura rreth ligjeve për Korridoret 8 dhe 10D

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ligji për planifikim urbanistik përplas përsëri deputetët në Komisionin për çështje evropiane. Sipas VMRO-DPMNE-së, edhe ky propozim i qeverisë por edhe ligjet e tjera që janë në procedurë e që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, përveç që po shtyhen me shkelje të procedurave në Kuvend dhe duke injoruar reagimet e përfaqësuesve të BE-së për keqpërdorim të flamurit të BE-së, ata bëhen edhe për t’u pasuruar funksionarët e pushtetit me miliona euro, në mënyrë të shpejtë. Deputeti Dragan Kovaçki hodhi akuza për diskriminim etnik.

“Vetëm atje në pjesën perëndimore të shtetit ne do të kemi zhvillim të shpejtë ekonomik? Pjesa lindore nuk duhet të jetë zhvillim të shpejtë ekonomik? Në lindje nuk duhet të ndërtohen autostrada? Ata njerëz atje nuk paguajnë tatime? Ata i ka harruar Zoti apo? Thoni “integrim të sektorit të transportit me BE-në”. Cilën BE? Me cilat anëtare të BE-së ne lidhemi me këto autostrada?”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

LSDM-ja dhe BDI-ja reaguan ndaj këtij qëndrimi. Sipas tyre, ndërtimi i autostradave nuk përjashton zhvillimin e asnjë rajoni.

“Nëse dikush, kushdo qoftë dhe jo vetëm për këtë projekt por për çfarëdo qoftë, bën vepër penale, duhet të mbajë përgjegjësi. Por mos u fshihni pas arsyetimeve se gjoja bëni për të mirën e popullit dhe ju lutem mos e ndani dhe më shumë këtë popull. Çfarë janë këto pyetje, se a mendojmë ne se Maqedonia lindore meriton ose jo autostradë?”, u shpreh Snezhana Kaleska Vançeva, LSDM.

“Është turp koleg dhe ka mbaruar koha kur Maqedonia ndahej në Maqedoni perëndimore të pazhvilluar, pa rrugë, pa kushte për jetesë, dhe Maqedoni lindore të zhvilluar me kushte për jetesë. Është vërtetë turp të bëhen ndarje të këtilla nga banorët e Maqedonisë lindore. Pse? Të gjithë pa përjashtim meritojnë zhvillim të barabartë nga i cili ne duhet të pranojmë se edhe sipas Entit të statistikave jemi akoma larg nga zhvillimi i barabartë rajonal”, deklaroi Arta Bilalli Zendeli, BDI.

Koha në dispozicion për t’i shqyrtuar këto ligje në komisionin parlamentar është e kufizuar për shkak të procedurës me flamur të BE-së. Secili prej tyre duhet të shqyrtohet për 2 ditë në komision dhe më pas 3 ditë në lexim të dytë në seancë plenare. I pari që pritet të miratohet është ligji për marrëdhënie pune i cili parashikon zgjatje të orarit të punës së punëtorëve ndërtimor, jashtë orarit standard prej 40 orë në javë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button