Debati në Kuvend, VMRO-ja kërkon prezencën e gazetarëve

Opozita kërkon seancat e trupave punues të Kuvendit të transmetohen drejtpërdrejtë. Sipas VMRO-DPMNE-së, diskutimet pa prezencën e mediave përbëjnë censurë. Deputeti Nikolla Micevski thotë se kërkesa e tij bazohet në Rregulloren e Kuvendit.

Kërkoj që gazetarëve t’i mundësohet prezencë e rregullt fizike në mbledhjet e komisioneve. Duke filluar nga sot nga Komisioni për arsim dhe gjitha komisionet e tjera tutje. Konsideroj se në sallën “Boris Trajkovski” ka kushte të mjaftueshme për kameramanët dhe gazetarët në galeri – tha Nikolla Micevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit kërkoi nga Micevski që pakënaqësitë t’i adresojë në koordinim, duke i kujtuar se rekomandimet e institucioneve shëndetësore duhet respektuar me doemos.

Nikolla lëri tani këto informacione nga gazetarët, nuk jemi ne qendër informative, Kuvend është ky. E ngrite çështjen dhe të dhashë përgjigjen. Mediat kanë vendin e tyre dhe rregullat. Ashtu siç i respektojmë ne rregullat duhet t’i respektojnë edhe ata. Kanë hapësira nga ku mund t’i ndjekin seancat – u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Aktualisht në kanalin e Kuvendit transmetohen vetëm seancat plenare, ndërsa mbledhjet e komisioneve transmetohen në formë elektronike, por pa prezencën e mediave. Rregullorja e Kuvendit kategorizon vetëm mbledhjen e Komisionit për Financa dhe Buxhet të transmetohet në kanalin e tretë të servisit publik. Sipas protokolleve kundër Kovid-19, në mbledhje të trupave punues mund të jenë prezent vetëm anëtarët e komisionit, ndërsa deputetët e tjerë nuk mund të përfshihen në diskutim nëse një nga anëtarët nuk lëshon sallën.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button