Dega e BDI-së në Tetovë organizon protestën e sotme
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Vetëm një ditë pasi BDI tha se protesta kundër vendimit të Kushtetueses për emrat e rrugëve nuk është partiake, dega e integristëve në Tetovë e mori përsipër protestën duke e paraqitur atë në polici. Kreu i degës së BDI-së Bajram Rexhepi kërkoi përkrahje dhe tha se e njëjta do të jetë e qetë dhe demokratike.
“Ne kemi njoftuar gjitha organet kompetente për marshin dhe rrugën nga do lëvizin protestuesit dhe pres që të mos ketë asnjë incident andaj kemi bë thirrje publike që protesta të jetë paqësore. Andaj kërkoj gjithë shqiptarët ta përkrahin këtë protestë që ti themi gjykatës Kushtetuese se nuk guxon të tallet me ne”, deklaroi Bajram Rexhepi. Organizator i protestës.
Gazetari: A planifikoni në të ardhmen protestë para gjykatës Kushtetuese?
“Varësisht se si do jenë reagimet e tyre nëse ata do reflektojnë sigurisht nuk do ketë nevojë, nëse nuk do ketë mirëkuptim nga organet kompetente revolta do vjen duke u shtuar”.
Për protestën e sotme, nga SPB e Tetovës, janë bërë gjitha parapërgatitjet dhe masat për një marsh të qetë protestues.
“Shpresojmë dhe apelojmë qytetarët që të shprehin mendimin revoltën e tyre në mënyrë paqësore. Sipas planit të paraparë e që është përpiluar për këtë marsh, është paraparë personel i mjaftueshëm për sigurimin e marshit dhe në udhëkryqet apo rrethet ku do ketë nevojë, do bllokohet komunikacioni dhe do devijohet nëpër rrugët anësore”, theksoi Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.
Protesta e sotme pritet të fillojë nga Sheshi i Tetovës ndërsa do lëviz përmes rrugës së Ilindenit deri tek komuna e Tetovës. Kërkesa kryesore e protestës pritet të jetë mbajtja e seancës së jashtëzakonshme në komunë për rivotimin e emrave të 2007, dhe reflektimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vendimin e sjellë ditë më parë./Alsat.mk.








