Deklarata për Goce Dellçevin nuk mori mbështetje në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme

Deklarata për Goce Dellçevin nuk mori mbështetje në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme

Gazetar: Lluka Andreev

Deklarata për Goce Dellçevin e propozuar nga VMRO-DPMNE, nuk e ka kaluar filtrin e parë parlamentar. Deputetët e maxhorancës nuk e mbështetën tekstin në Komisionin e Jashtëm, shkruan Alsat.

Kryetari i partisë opozitare, Hristijan Mickoski, i bëri thirrje LSDM-së të saktësojë se me çfarë nuk pajtohet në Deklaratë.

“Nuk e di pse për Kovaçevskin është diçka e huaj arritja e unitetit kombëtar. Nëse të paktën janë dakorduar në mënyrë kontrabanduese me Bullgarinë, atëherë duhet ta thonë qartë tani. Sepse qeveria e ardhshme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nuk ka ndërmend të respektojë një marrëveshje të tillë të kontrabanduar”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga Bihaqka përsëritën se Deklarata është imponim politik i VMRO-DPMNE-së për t’u thelluar përçarjet te populli maqedonas.

“Vepra e revolucionarit maqedonas, Goce Dellçev dhe kontributi i tij historik në krijimin e shtetësisë maqedonase nuk meriton një qëndrim të tillë të nënvlerësuar. Goce Dellçev nuk e meritonte të reduktohet në një deklaratë politike të dorëzuar nga një parti që lavdëron figurat historike që ishin kundër Dellçevit, kundër veprave dhe vlerave të tij”, thanë nga LSDM.

Ndërkohë, ambasadori francez në vend inkurajoi rifillimin e negociatave.

“Qëndrimi i Francës është i qartë dhe nuk është i ri. Të njëjtin qëndrim e ndajnë të gjitha institucionet evropiane, dhe ai është përkrahja e parezervë për hapjen sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë”, u shpreh Siril Bomgartner – Ambasador i Francës.

Ambasadori bullgar në Shqipëri, Momçil Rajçevski, theksoi se Bullgaria mbetet mbështetëse e zgjerimit të Unionit me vendet e rajonit.

“Për ne Shqipëria ka përfunduar atë që është e nevojshme dhe jemi të gatshëm ta mbështesim në momentin kur të ketë zgjidhje në familjen evropiane që vendi të vazhdojë në atë rrugë”, theksoi Momçil Rajçevski – Ambasador i Bullgarisë në Shqipëri.

Çështjet e hapura politike, mes ekspertëve të ministrive të jashtme të të dyja vendeve, do të diskutohen javën e ardhshme në Shkup./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button