Del në ankand fosili më i çmuar, por për shkencëtarët është lajm i keq

Del në ankand fosili më i çmuar, por për shkencëtarët është lajm i keq

Shtëpia e ankandeve në Hong-Kong do të nxjerrë në shitje fosilin më të çmuar të Tyrannosaurus rex, gjë që ka shqetësuar ekipin e shkencëtarëve, pasi skeleti mund të përfundojë në duart e një individi dhe mund të mos jetë i disponueshëm për ekipin shkencor.

Shen është emri i skeletit T. rex, i cili u gjet në Hell Formacionin Hell Creek në Montana, sikurse skeleti Stan i Tyrannosaurus rex, i cili u ble në ankand në vitin 2020 nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Abu Dhabi për shumën prej 31.8 milionë dollarësh, me premtimin e një ekspozite të përhershme në një muze të ri që do të përurohet në vitin 2025.

SKELET MILIONER. Shen do të dalë në ankand në Christie’s në Hong-Kong më 30 nëntor 2022. Është skeleti i parë T. rex (një specie që jetonte në kontinentin amerikan) që ofrohet për shitje në Azi. Vlerësimi i shtëpisë së famshme të ankandeve është se fosili do të sjellë nga 15 deri në 25 milionë dollarë, më pak se sa pagoi Stan, por gjithsesi një shifër astronomike, që do t’i japë blerësit mundësinë të zgjedhë se cilin emër do t’i vërë fosilit.

Shen është 12 metra i gjatë, gati 5 metra i lartë dhe peshon 1400 kg dhe si të gjithë skeletet T. rex është shumë i vlefshëm jo vetëm nga pikëpamja financiare, por mbi të gjitha nga ana shkencore. Dhe kjo është arsyeja pse bota e paleontologjisë nuk është e kënaqur me këtë ankand.

LAJM I KEQ PËR SHKENCËN. Përveçse mund të emërtojë skeletin, kushdo që blen Shen do të bëhet edhe pronari i vetëm. Kjo do të thotë se, nëse nuk është një filantrop i interesuar për kërkime paleontologjike, do të jetë shumë e vështirë nëse jo e pamundur të bësh kërkime mbi skeletin.

I intervistuar nga Live Science, paleontologu Thomas Carr shpjegoi se “ky ankand është një lajm i keq për shkencën” dhe se “ne nuk e dimë as sa i plotë është ky ekzemplar”. Frika është se Shen (ose siç do të riemërtohet) do të përfundojë duke u zhdukur në ndonjë koleksion privat, duke vjedhur një burim të çmuar nga shkenca. Dhe ka shqetësime edhe për të ardhmen: fuqia e miliarderëve fosildashës është shumë më e madhe se ajo e çdo muzeu, dhe rreziku është që gjithnjë e më shumë skelete të përfundojnë të mbyllur në një dollap metaforik në vend që të lihen në dispozicion të komunitetit shkencor.

LEXO EDHE:

Back to top button