Delegacioni ukrainas do të takohet me atë rus në kufirin midis Ukrainës dhe Bjellorusisë
“Ne ramë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me delegacionin rus pa parakushte në kufirin ukrainas-bjellorusi, pranë lumit Pripyat”, ka shkruar Zelensky.
Konfirmimi vjen pasi ai kishte folur më parë me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko.
Zelensky pretendoi në një postim në mediat sociale se Lukashenko kishte marrë përgjegjësinë për sigurinë, se do të siguronte që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin bjellorusi të qëndronin në terren gjatë udhëtimit të delegacionit ukrainas, gjatë negociatave dhe gjatë kthimit në Kiev.
Më vonë, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba tha në një konferencë shtypi se gatishmëria e Rusisë për të biseduar pa kushte ishte një fitore për Ukrainën.
– Ne shkojmë atje pa bisedime paraprake, pa marrëveshje paraprake se çfarë mund të rezultojë nga këto bisedime, shkojmë atje për të dëgjuar dhe thënë se çfarë mendojmë për këtë luftë dhe veprimin e Rusisë. Ndërkohë, që tani e deri sa të zhvillohen bisedimet, Presidenti Lukashenko e ka siguruar Presidentin Zelensky se forcat ushtarake të Bjellorusisë nuk do të përdoren kundër Ukrainës. Por deri atëherë ne do të vazhdojmë të luftojmë pa frikë. – Dmitry Kuleba – Ministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin, duke u takuar me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e Forcave të Armatosura Valery Gerasimov, tha se ai kishte urdhëruar forcën bërthamore ruse të rrisë gatishmërinë luftarake në përgjigje të atyre që ai i quajti “deklarata agresive” nga forcat udhëheqëse të NATO-s.
– Vendet perëndimore nuk ndërmarrin vetëm veprime armiqësore ekonomike kundër vendit tonë. Drejtuesit e NATO-s bëjnë deklarata agresive kundër nesh.Kam urdhëruar ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Forcave të Armatosura të vënë në gatishmëri të lartë arsenalin bërthamor rus. – Vladimir Putin – President i Federatës Ruse.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjithashtu u përgjigj me shpejtësi, duke shprehur shqetësimin për vendimin e Putinit për të vënë forcat parandaluese të vendit në gatishmëri të posaçme, duke thënë se një retorikë e tillë ishte e rrezikshme.
– Kjo është retorikë e rrezikshme, kjo është sjellje e papërgjegjshme dhe sigurisht nëse e kombinoni këtë retorikë me atë që ata bëjnë në terren në Ukrainë, duke bërë luftë kundër një kombi të pavarur dhe sovran, duke kryer një pushtim të plotë të Ukrainës. Kjo rrit seriozitetin e situatës dhe kjo është arsyeja pse ne mbështesim Ukrainën, por edhe pse javët dhe muajt e fundit kemi rritur ndjeshëm praninë e NATO-s në pjesën lindore të Aleancës. – Jens Stoltenberg – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Ukraina pati një natë të vështirë, që kulmoi me betejën për qytetin e dytë më të madh të vendit, Kharkovin. Pasi agjencitë raportuan mëngjesin e sotëm se një kolonë me pajisje ushtarake të Forcave të Armatosura Ruse kishte hyrë në rrugët e Kharkovit, mediat lokale raportuan se qyteti ishte përsëri nën kontrollin e Ukrainës.
E ndërsa sytë e botës janë kthyer nga negociatat e paralajmëruara mes Kievit dhe Moskës, popullsia e zonave të prekura në Ukrainë po largohet nga vendi. Disa ikin në Poloni dhe Hungari, por disa vendosin të qëndrojnë dhe të luftojnë.
– Ata erdhën në vendin tonë dhe vranë njerëzit tanë. Ata po shkatërrojnë qytetet dhe ndërtesat tona.
– Në fillim ishim të frikësuar, por tani jemi gati të luftojmë.
Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më shumë se 368,000 njerëz janë larguar nga Ukraina që kur u sulmua nga Rusia të enjten.








