Dëme të konsiderueshme në Haraçinë, Hasanbeg dhe Stajkovc, nga reshjet e një dite më parë

Dëme të konsiderueshme në Haraçinë, Hasanbeg dhe Stajkovc, nga reshjet e një dite më parë

Gazetare: Ajnur Bafqari

Shiu i rrëmbyeshëm që përfshiu vendin një ditë më parë ka lënë mbrapa vetes dëme të konsiderueshme.

Në Haraçinë, rrugët u mbuluan nga balta, gurët, rëra e mbeturinat, duke e vështirësuar qarkullimin dhe jetën e përditshme të banorëve.

Kjo i detyroi autoritetet që me ekskavatorë të dalin për të pastruar rrugët…

Ndërsa rruga kryesore që lidh Shkupin me Kumanovën, për shkak të punimeve mbeti e mbyllur për një kohë.

Qytetarët thonë se përmbytja ishte e papritur dhe e fuqishme, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim në disa lagje. Ata kërkojnë masa parandaluese, që të mos përsëriten raste të ngjashme në të ardhmen.

“Është prishur rruga krejt këtu. Nuk po ecet më.. Kjo rërë ka ardhur krejt prej lartë, nuk ka qenë këtu, unë taksist punoj këtu çdo ditë, nuk ka qenë këtu. Dëme ka, si nuk ka dëme…Kanë dal me pastruar këtë rërën, e rrugët janë mbushur krejt me gurë, atje poshtë viran është bërë”, tha një qytetar.

“Unë këtu afër ambulancës jetoj. Te unë nuk ka pasur dëme në shtëpi”, u shpreh një qytetar.

“Kanë pasur, kanë pasur dëme, se ka pas vende ku ka hyrë uji, që ua ka bllokuar udhët, tani nuk e din nga cila anë të shkojnë”, shtoi një qytetar.

Nga komuna e Haraçinës thonë se përveç rrugëve kanë pranuar denoncime për vërshime edhe të katër oborreve të shtëpive.

“Deri në këto momente, përveç tre ose katër rasteve të oborreve të shtëpive që janë vërshuar, nuk kemi pasur paraqitje të rasteve për dëme në të mbjella ose tokave bujqësore”, thonë nga Komuna e Haraçinës.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut, kanë përfshirë disa pjesë të vendit.  Kujtojmë se në vitin 2016 për shkak të reshjeve të mëdha të shiut që përfshiu rajonin këtë rajon e veçanërisht atë të Hasanbegut, jetën e humbën mbi 20 persona. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button