Nesër aktgjykimi për Merkon për emërimin e paligjshëm të drejtorëve

Nesër aktgjykimi për Merkon për emërimin e paligjshëm të drejtorëve

Gazetar: Miki Trajkovski

Prokuroria Publike në seancën e sotme gjyqësore për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat fillore në fshatrat Podgorcë, Radolisht dhe Labunishtë, kërkoi nga Gjykata në Strugë që të shpall fajtor kryetarin e komunës, Ramiz Merkon. Prokurorët thanë se nga provat e paraqitura, si verbale ashtu edhe materiale, është dëshmuar se Merko ka emëruar drejtorë në mënyrë të kundërligjshme. Prokuroria dhe mbrojtja sot prezantuan fjalët përmbyllëse.

“Bëhej fjalë për Shkollën Fillore ‘Goce Dellçev’ në fshatin Podgorcë. Pres vendim dënues, të dënohet. Kryetari i komunës ka vepruar në kundërshtim me ligjet e përmendura: neni 118, paragrafi 1, neni 109, paragrafi 3 dhe neni 115, paragrafi 5“, tha Xhemal Lloga – Prokuror Publik.

Prokurorja Vanesa Bizati Bilali tha se i pandehuri ka ndërmarrë veprime për emërimin e drejtorëve në detyrë në disa raste, në kundërshtim me dispozitat ligjore, dhe se një veprim i tillë përbën shkelje flagrante të kompetencave zyrtare.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e veprës penale dhe rëndësinë e funksionit që e ka ushtruar i pandehuri, si dhe faktin që bëhet fjalë për veprime që kanë ndikim afatgjatë mbi sistemin arsimor, dhe duke marrë parasysh faktet që rrjedhin nga provat e paraqitura, Prokuroria Publike propozon që Gjykata ta shpall të pandehurin fajtor për veprën që i ngarkohet dhe ta dënojë sipas ligjit”, u shpreh Vanesa Bizati Bilali – Prokurore.

Avokati i Merkos tha se për zgjidhjen e problemit me drejtorët e shkollave, Ramiz Merko si kryetar i Komunës disa herë ka biseduar me ministrin e atëhershëm të Arsimit Jeton Shaqirin.

“Për të zgjidhur problemin, i pandehuri foli disa herë me ministrin Jeton Shaqiri, i cili ua përcolli këtë njerëzve që më vonë u emëruan në pozicione drejtorësh. Siç shihet nga deklarata e tij, i pandehuri përshkroi gjithashtu udhëzimet që mori nga ministria, të shprehura në formën e një përgjigjeje ndaj një kërkese të datës 11.6.2024, pra si mund të vepronte në rast se asnjë nga punonjësit e shkollës nuk kishte paraqitur një aplikim për drejtor”, u shpreh Igor Petkovski, avokat i Ramiz Merkos.

Vendimin do ta shpallë nesër gjykatësi Jordan Jovanov. Kundër Merkos aktualisht janë aktive edhe disa raste të tjera, vetëm pesë muaj para përfundimit të mandatit të tij të katërt. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button