Dënimet e ulëta, shkak për rritjen e aksidenteve në trafik
Evi Shkopi
Shkaktarët e aksidenteve në komunikacion në shumicën e rasteve marrin dënime të ulëta që ndikon në ndërgjegjësim më të ulët nga qytetarët. Nga qindra raste të analizuara, në 50% prej tyre është dhënë dënim me burg, 34% dënim me kusht dhe për pjesën tjetër të akuzuarit lirohen nga faji, tregon një analizë e bërë nga Koalicioni “ të gjithë për gjykim të barabartë. Për vepra të kategorisë së njëjtë, gjykatat japin vendime të ndryshme.
https://www.youtube.com/watch?v=0HDybabCp5o&feature=youtu.be
“Gjykata në Manastir ka një përqindje të konsiderueshme të shqiptimit të dënimit me burg se sa gjykata në Ohër. Gjykata në Ohër është gjykata ku më së paku shqiptohet masa dënim me burg. Në të shumtën e rasteve sillet vendim për dënim me kusht ose lirim nga faji. Në Shkup 33% janë dënime me burg, ndërsa 66 me kusht”, tha Natali Petrovska- koalicioni të gjithë për gjykim të barabartë.
Numri më i lartë i aksidenteve në komunikacion gjatë vitit 2020 është regjistruar në territorin e Shkupit, gjegjësisht 1571 raste. Të dhënat e ministrisë së Punëve të brendshme tregojnë se krahasuar me vitin 2019 numri i këtyre rasteve është rritur për 50%. Numri i viktimave në komunikacion gjatë vitit 2020 ka shënuar ulje krahasuar me vitin 2019. Dëmi material i regjistruar në këto aksidente është rreth 511 milion denarë.
Sot në kryeqytet Këshilli Republikan për siguri në Komunikacion mbolli 125 fidanë në shenjë përkujtimi të personave që kanë humbur jetën në aksidente në komunikacion.
“Kemi edukim se si duhet të sillen në komunikacion që nga kopshtet, nga shkollat fillore dhe më pas edhe në ato të mesme dhe në fakultete. Mendoj se u afrohemi shteteve që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Ata regjistrojnë 5 viktima në 100.00 banorë, ndërsa ne regjistrojmë 6”, tha Gordana Kozhuvarovska- Kryetare e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacion.
Kritika se po shqiptohen dënime të ulëta për shkaktarët e aksidenteve në komunikacion, pak ditë më parë kishin edhe nga Komisioni për Antikorrupsion. Në vendin tonë, denimi më i lartë i shqiptuar për aksident në komunikacion ku ka pasur viktima është 3 vite dënim me burg. Për vepra të tilla ligji parashikon dënim me burg nga 1 deri në 5 vjet./Alsat.mk







