Çfarë do të ndodhë më 14 dhjetor? – Osmani optimist, Pendarovski pesimist për negociata
Përgatiti: Mefail Ismaili
Pavarësisht se fituesit e zgjedhjeve në Bullgari thonë se 14 dhjetori është datë joreale që të arrihet marrëveshje me Maqedoninë e Veriut, ministri i Jashtëm Bujar Osmani, më optimist, shkruan Alsat.
Thotë se paralajmërimet që vijnë nga Bullgaria për qasje më racionale, janë sinjale për tejkalimin e dallimeve që ekzistojnë mes dy vendeve.
Sipas tij nuk është me rëndësi nëse vendi do të marrë datën pikërisht më 14 dhjetor, por me rëndësi është të ndodh sa më shpejtë që është e mundur..
“….sot e konfirmon edhe ministri i Austrisë por edhe në institucionet e Bashkimit Evropian e pash këtë përkushtim se dhjetori do të jetë data. Po a do të jetë dhjetori dy javë më vonë ose dy javë më herët ose një muaj më vonë do të varet prej asaj se kur Republika e Bullgarisë do të ketë Qeveri”, ka thënë Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm i RMV-së.
Ministri i jashtëm austriak i cili qëndroi për vizitë zyrtare në vend Mihael Linhart, deklaroi se angazhohen që vendi në dhjetor të marrë datën për fillimit të negociatave.
“Ne angazhohemi për fillimin urgjent të negociatave në dhjetor, këtu ka dritare për mundësi për të dy palët. Edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë por edhe për Bashkimin Evropian, por edhe për partnerët tonë në suaza të Bashkimit Evropian. Shpresoj se negociatat do të fillojnë në dhjetor”, u shpreh Mihael Linhart, Ministër i Austrisë.
Por presidenti Stevo Pendarovski thotë se nëse Bullgaria nuk arrin të konstituojë Kuvendin deri më 14 dhjetor, vështirë se mund ti jepet dritë të gjelbër vendit tonë.
“Unë do të shkoja me vlerësime më të matura. Javën e ardhshme duhet të përfundojnë zgjedhjet presidenciale. Presim që sipas rezultateve të rrethit të parë, atje i njëjti njeri do të mbetet president. Por nëse nuk konstituohen edhe dy institucionet tjera, Qeveria dhe Parlamenti do të jetë vështirë për atë që të vendos në çfarëdo drejtimi”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.
Më 14 dhjetor do të mbahet Këshilli për çështje të përgjithshme i Bashkimit Evropian kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin sinjale pozitive për negociatat./ Alsat.mk








