Dënohet me burg të përjetshëm vrasësi i Marigona Osmanit
Dënohet me burg të përjetshëm vrasësi i Marigona Osmanit
“Të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale “vrasje e rëndë” i shqipton dënim me burgim të përjetshëm”.
I akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë të Marigona Osmanit.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme. Gjykatësi gjatë fjalës zbardhi detajet nga vrasje makabre e 18 vjeçares, dy vjet më parë.
“Gjatë dy ditëve rresht, kohë pas kohe, në vazhdimësi, me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike. Nga pasojat e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga shtypja, goditjet, apo përplasjet me ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mprehës, shkaktohet vdekja e së ndjerës Marigona Osmani, e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës, lëndimeve të shumëfishta”, deklaroi Sahit Krasniqi, gjykatës në Gjykatën e Ferizajit.
Avokati i familjes së Marigona Osmanit, tha se familja është e pakënaqur lidhur me dënimin për të akuzuarin e dytë. Ai paralajmëroi ankesë, sepse, siç tha, edhe akuzuari i dytë meriton burgim të përjetshëm.
“Pjesëmarrje në vrasje dhe me u dënu me 15 vite është pak e pakuptimtë”, u shpreh Rezmi Osmani, axha i Marigonës.
“Vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në periudhën e pasluftës, sepse kronologjia e kësaj vrasjeje ka zgjatë 72 orë më herët se ajo të ndërrojë jetë”, deklaroi Gazmend Rexhepi, avokat.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Dy persona, tash të dënuarit Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur. /Alsat.mk








