Dështoi Platforma Nacionale për mësim nga distanca, MASH: Të gjithë nxënësit të kyçur ne proces

Tre muajt e parë të mandatit, për Ministrinë e Arsimit ishin sfidues. Pas dështimit të platformës së vetme nacionale për mësim nga distanca, Ministria e Arsimit beson se viti shkollor zhvillohet në mënyrë të suksesshme, nëpërmjet metodave që aktualisht janë në funksion. Sipas këtij institucione, të gjithë nxënësit janë të kyçur në procesin arsimor.

Të gjithë nxënësit janë të kyçur në procesin edukativ-arsimor, përmes njërit nga modelet e ofruara për ndjekjen e arsimit (me prezencë fizike ose mësim nga distanca – online / materiale të shtypura / ndjekjen e orëve 15-minutëshe në TVM… Në nivel të të gjithë shtetit, mbi 90% e nxënësve me sukses ndjekin mësimin – thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Por platforma nacionale për mësim nga distanca nga e cila tani është hequr dorë dhe s’po gjen zbatim, u promovua me pompozitet në mes të shtatorit. Ministrja e Arsimit Milla Carovska në shtator jo vetëm që besonte se platforma nacionale do të ishte e suksesshme, por gjithashtu besonte se ajo do të ndihmonte në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit edhe pas pandemisë.

Ky është mjet në këtë vit shkollor që dukshëm do të ndihmojë ta mbajmë cilësinë e procesit arsimor edhe në kushte pandemie. Po ashtu platforma është hap drejt modernizimit të arsimit, mjet që jam e bindur se do të jetë resurs domethënës edhe pas tejkalimit të krizës me virusin korona – deklaroi Milla Carovska, ministre e Arsimit.

Në fushën e arsimit, Qeveria po ashtu kishte premtuar analizë të detajuar të rezultateve nga testimi PISA, në tre muajt e parë të mandatit. Mes tjerash ishte premtuar edhe një testim i ngjashëm nacional në çdo gjysmëvjetor.

Do të organizojmë testime të ngjashme PISA në secilin gjysmëvjetor dhe në secilën shkollë. Këto teste do të jenë anonime dhe nuk do të ndikojnë në vlerësimin e nxënësve dhe as mësimdhënësve, por do të ndihmojnë shkollat dhe shërbimet pedagogjike të përgatisin masa konkrete për përmirësimin e arsimit në secilën shkollë – thuhet në Programin e Qeverisë.

Por si duket as ky testim nuk do të bëhet për gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor.

Në vitin 2021 do të realizohet testim nacional në të cilin rezultatet nga i njëjti do të ndihmojnë në krijimin e politikave arsimore – thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ministria e Arsimit tani për Alsat thotë se në bashkëpunim me palët e përfshira është në konsultime dhe përgatitje të një koncept edukues bashkëkohor që nënkupton ndryshim thelbësor të materialit shkollor dhe didaktik. Qëllimi, sipas tyre, është të hiqet dorë nga mënyra nacionale e mësimit faktografik dhe të kalohet në arsimin që krijon qytetarë që mendojnë në mënyrë kritike dhe logjike. Koncepti i reformuar, sipas dikasterit të Arsimit pritet të vendoset në praktikë në vitin shkollor 2021-2022.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button