Dështoi takimi në Gjenevë, kërkohet afat tjetër për marrëveshjen SHBA-Iran
Gazetare: Fatlume Dervishi
Planet për takimin e shumëpritur mes negociatorëve amerikanë dhe iranianë në Zvicër janë shtyrë, duke krijuar pasiguri të reja për procesin e paqes që synon t’i japë fund luftës që ka zgjatur më shumë se tre mujore mes dy vendeve.
Bisedimet teknike, të cilat pritej të zhvilloheshin të premten në resortin zviceran Buergenstock, kishin për qëllim zbatimin e marrëveshjes me 14 pika të arritur këtë javë mes Uashingtonit dhe Teheranit. Megjithatë, përgatitjet u ndërprenë pasi nënpresidenti amerikan JD Vance njoftoi se kishte anuluar udhëtimin e planifikuar në Zvicër. Sipas burimeve të mediave ndërkombëtare, edhe kryenegociatori iranian Mohammad Baqer Qalibaf nuk kishte në plan të merrte pjesë në takim.
Marrëveshja e përkohshme, e nënshkruar nga presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ka zgjatur armëpushimin edhe për të paktën 60 ditë, por çështjet më të ndërlikuara, përfshirë programin bërthamor iranian, janë lënë për negociatat e ardhshme. Palët kanë afat dy muaj për të arritur një marrëveshje të përhershme ose për të zgjatur sërish marrëveshjen aktuale.
Procesi diplomatik po përballet edhe me sfida të tjera. Përshkallëzimi i luftimeve në Liban mes Izraelit dhe Hezbollahut mund të komplikojë përpjekjet për arritjen e një paqeje afatgjatë. Autoritetet libaneze raportuan se të paktën 18 persona humbën jetën nga sulmet ajrore izraelite, ndërsa Izraeli njoftoi për vrasjen e katër ushtarëve të tij në një nga sulmet më të rënda të Hezbollahut gjatë konfliktit.
Marrëveshja e përkohshme kërkon ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Megjithatë, Izraeli, i cili nuk ka qenë pjesë e negociatave, ka deklaruar se nuk është i detyruar nga kjo marrëveshje.
Pavarësisht shtyrjes së bisedimeve, zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se delegacioni i tyre mbetet i gatshëm për negociata sapo të përcaktohen kushtet dhe afatet e reja. Nga ana tjetër, Teherani kërkon prova konkrete të zbatimit të marrëveshjes së përkohshme përpara se të angazhohet në raundin e ardhshëm të bisedimeve.
Lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit nisi më 28 shkurt, pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite ndaj objektivave iraniane, duke u shndërruar shpejt në një konflikt rajonal që përfshiu edhe Libanin. Gjatë më shumë se tre muajve luftime, mbi 7 mijë persona humbën jetën, ndërsa Irani bllokoi përkohësisht Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit. Konflikti shkaktoi luhatje të forta në tregjet financiare dhe rritje të çmimeve të energjisë, duke shtuar frikën për ndërprerje të furnizimit me naftë në mbarë botën.








