FFM, aferë prej 3 milionë eurosh: 18 të dyshuar për pastrim parash
Illço Gjorgjioski, Muamed Sejdini dhe Ollgica Mlladenovska janë të dyshuarit kryesor për pastrimin e parave në Federatën e Futbollit të Maqedonisë. Prokuroria e Krimit të Organizuar ka zbardhur strukturën e grupit të organizuar kriminal të cilët përmes faturave fiktive dhe shërbimeve të pakryera por të faturuara si të kryera përmes 8 kompanive bashkëpunëtore të FFM-së kanë pastruar rreth 3 milion euro.
“Veprimet datojnë nga viti 2015-2019. I dyshuari i parë dhe i dyshuari i dytë si ish kryetarë të FFM-së, kanë nënshkruar 728 urdhëresa për pagesa që i janë dhënë nga e dyshuara e tretë (Ollgica Mlladenovska) dhe janë ekzekutuar. Në mënyrë jo ligjore dhe me pagesa jo ligjore, për shërbime që asnjëherë nuk janë kryer asnjëherë nga subjektet që janë pjesë e hetimit dhe mallrat që asnjëherë nuk janë adresuar në FFM është bërë dëm rreth 3 milion euro,” tha Faton Azizi, Prokuror i Krimit të Organizuar.
Organi i akuzës ka kërkuar 8 masa paraburgimi dhe 4 masa kujdesi. Ndërkohë 5 persona janë të pakapshëm për organet e ndjekjes penale.
“5 nga 18 të dyshuarit nuk janë të qasshëm. Sipas informacioneve që kemi mendojmë se disa prej tyre janë në rrethinë dhe besoj se për një kohë të shkurtër do të paraqiten para organeve hetuese dhe do të japin versionin e tyre mbi procedurën hetimore,” deklaroi tha Faton Azizi, Prokuror i Krimit të Organizuar.
Tetë subjektet që janë pjesë e masave hetuese kanë qenë paraprakisht subjekte me të cilat ka bashkëpunuar FFM-ja. Ndërkohë kundër ish kreut të FFM-së, Muamed Sejdini udhëhiqet një proces tjetër hetimor për keqpërdorimin e 700 mijë eurove para të UEFA-s. Sejdini aktualisht ndodhet në paraburgim.








