Didier Ludot, i pari i modës “vintage”, i thotë lamtumirë veprimtarisë së tij pas 50 vjetësh sukses
Didier Ludot, i pari i modës “vintage”, i thotë lamtumirë veprimtarisë së tij pas 50 vjetësh sukses

Didier Ludot, i njohur si “babai” i veshjeve të modës së vjetër që njihet me termin “vintage”, ka njoftuar për mbylljen e dyqanit të tij të njohur të modës së lartë (haute couture) në Paris, pas 50 vjetësh aktivitet. Dyqani i tij në Palais-Royal ka qenë një destinacion i pashmangshëm për adhuruesit e modës, ku mund të shihnin veshje nga koleksione unike të disenjatorëve të njohur si Cristóbal Balenciaga, Yves Saint Laurent dhe Christian Dior.
Për më shumë se gjysmë shekulli, Ludot ka sjellë në dyqanin e tij veshje ikonike, duke i pasur ato si një pasqyrë të periudhave të ndryshme kohore të modës, dhe ka ndihmuar shumë njerëz të gjenin veshjet e përkryera “vintage”.
Gjatë një interviste lamtumirëse në New York Times, ai ka ndarë kujtime nga karriera e tij. Kur u pyet për arsyen e mbylljes së dyqanit, Ludot ka thënë se nuk po i duket se e ka më të njëjtën lidhje me klientët.
“Jam në moshën për të ndalur veprimtarinë. Por gjithashtu, nuk kam më të njëjtën lidhje me klientët. Nuk ka më kulturë në modë”, ka thënë ai.
Ludot ka shpjeguar se si e shijonte procesin e të folurit dhe shkëmbimit të ideve me ata që vinin për të blerë, për të parë apo për të mësuar rreth modës “vintage”.
“Përpara, njerëzit vinin dhe nuk blinin asgjë, por gjithmonë bisedonim, dhe kjo më pëlqente”, ka thënë ai.
Ludot gjithashtu ka kujtuar disa nga ngjarjet më të paharrueshme me klientët e tij të famshëm, përfshirë aktoren Julia Roberts, e cila bleu një pallto nga brendi “Balenciaga” në ngjyrën e njohur si “harlequin” e cila qëndron në mes të gjelbrës dhe të verdhës, si dhe aktoren Nicole Kidman, e cila kishte kaluar katër orë në dyqanin e Ludotit, duke kërkuar veshje që i përshtateshin stilit të saj të veçantë.
Kur u pyet për mundësinë e shitjes së dyqanit, ai shpjegoi se kishte provuar të gjejë një blerës, por pa sukses.
“Nuk kam gjetur askënd”, ka thënë ai, duke shtuar se ishte i kënaqur që kishte kontribuar në ruajtjen e bukurisë dhe pasurive të modës.
“E bëra këtë profesion për të ruajtur bukurinë dhe për të mundësuar që një brez i ri të mësojë dhe të përjetojë atë se çfarë është ‘haute couture’”, ka thënë tutje ai.
Pas mbylljes së dyqanit, Ludot ka vendosur t’i shesë 380 artikujt e fundit nga koleksioni i tij përmes një ankandi, një ceremoni që e ka quajtur “The Last Passage” dhe do të mbahet sot, më 30 janar.
Kjo, sipas The New York Times, është një lamtumirë nga një periudhë e artë e modës, një kapitull që i ka dhënë modës një trashëgimi të pashlyeshme.