Digjitalizohen shërbimet në Komunën e Tetovës
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Në komunën e Tetovës, shumë shërbime do të mund të kryhen në mënyrë digjitale. Qytetarët mund të paguajnë tatimet përmes faqes së internetit të komunës dhe aplikacionit TE-CLICK.
“Banorët do të përfitojnë shërbime shumë efikase përmes aplikacionit dhe aplikacioneve që janë në uebfaqe ku do marrim shërbime, sidomos ndërmarrjet që merren me shërbime ndaj qytetarëve e që kanë të bëjnë me lidhjen me shërbimet e komunës. Pra bëhet fjalë për një proces gati se qind për qind të digjitalizuar”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
“Komuna e Tetovës ia doli mirë me këtë projekt dhe është mirë të merret shembull edhe nga komunat tjera, por, është mirë ti motivojmë edhe komunat e tjera që nuk kanë sisteme të këtilla, që ta shfrytëzojnë portalin kombëtar për shërbime, sepse vetëm kështu mund të flasim për ofrimin e pushtetit lokal me qytetarët”, u shpreh Stefan Andonovski, Ministër i Transformimit Digjital.
Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas tha se ky është një hap i mirë në drejtim të përmbushjes së reformave.
“E konsiderojmë si projekt transformues shumë të suksesshëm sepse do lehtësoj jetën e përditshme të qytetarëve por po ashtu edhe investitorëve që duan të vijnë të investojnë në Tetovë. Po ashtu përgatit komunat dhe vendin për anëtarësim në BE, sepse digjitalizimi është plani kryesor i agjendës reformuese”, Mihalis Rokas. Ambasador i BE në RMV.
Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian në komunën e Tetovës ka nisur realizimin tanimë 5 vite. /Alsat.mk








