Dimitrieviq: Deklarata e Mickoskit shembull klasik i përndjekjes politike

LSDM-ja opozitare e quan shembull klasik të përndjekjes politike deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se ka ndjesinë që do të përndiqen ish funksionarë të lartë të qeverisë kaluar të udhëhequr nga LSDM. Sekretari i përgjithshëm i partisë së Venko Filipçes thotë se kjo i kthen në disa kohëra të errëta, shkruan Alsat.

“Nuk na habit asgjë prej kryeministrit dhe kthehemi në një kohë të errët të shtetit dhe atë disa herë e kemi komentuar, ku kryeministri jep komente për ata që nuk mendojnë njëjtë si ai, për njerëz që janë pjesë e opozitës dhe duket në përndjekje klasike politike”, tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrieviq.

Deklarata e Mickoskit vjen në kohë kur opozita gjithnjë e më shumë po e forcon retorikën lidhur me çështjen e rikthimit të mundshëm të ish kryeministrit Nikolla Gruevski nga Budapesti pas rënies së Viktor Orbanit nga pushteti 16-vjeçar. Andrej Zhernovski gjatë ditës së djeshme tha se kthimi i Gruevskit e frikëson në palcë Mickoskin, ndërsa ky i fundit tha se ka ndjesi se pushtetarët e kaluar do të përndiqen.

“Pres nga kjo opozitë të jetë dhe të sillet kështu në mënyrë kritike kur së shpejti, kam ndjenjën se funksionarë të lartë nga pushteti i kaluar i LSDM-së, ish kryeministra dhe të afërm të tyre të familjes do të përfshihen në përndjekje”, tha dje kryeministri Hristijan Mickoski.

Çështja Gruevski, sërish u bë temë për përplasje politike në vend pasi kryeministri i ardhshëm hungarez Peter Magjar paralajmëroi deportimin e të kërkuarve nga drejtësia që strehohen në Hungari. Magjar, duke e përmendur konkretisht Gruevskin, tha se Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelë ndërkombëtarë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button