Rektorët legjitimuan Ligjin për Arsim të Lartë, studenti i “Kirilit” kritikoi investimet në universitetet shqiptare
Krerët e universiteteve shtetërore në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministren e Arsimit Vesna Janevska, legjitimuan propozim-ligjin për arsim të lartë si dhe propozim-ligjet për Shkencë dhe Cilësi në Arsim, të cilët gjatë periudhës së kaluar ishin temë debati. Përfaqësuesit e universiteteve përshëndetën ligjin, duke e quajtur reformues dhe që nuk e cenon autonominë universitare, ndërsa kryeministri përmendi përfitimet, raporton Alsat.
“Për mua është veçanërisht me rëndësi që zgjidhja e re ligjore krijon mundësi që të rinjtë të mbeten këtu. Ta ndërtojnë rrugën e tyre profesionale dhe jetësore në atdheun e tyre. Për herë të parë, studentët të cilët me bursa prej shtetit studiojnë në 100 universitetet më të mira si dhe studentët më të mirë, fitues të unazës inxhinerike ose të shpallur si më të mirët universitetet e tyre do të kenë përparësi gjatë punësimit në universitetet shtetërore”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Ndërkohë ligji ende nuk dihet se kur do të dërgohet në Kuvend për miratim. Ligji aktualisht ndodhet në Qeveri, por para se të vendoset në seancë qeveritare duhet të kalojë filtrin për verifikimin juridik.
“Duke e pasur parasysh se tanimë Ministria, gjegjësisht Qeveria dhe komuniteti akademik kanë konsensus për cilësinë dhe përfitimet e këtij ligji, pres që e gjithë kjo të mbarë në periudhë shumë të shkurtër”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
E brenda deklarimeve pozitive për ligjin nga ana e përfaqësuesve qeveritar dhe rektorëve, një student i Universitetit Shën Kirili dhe Metodi i cili është pjesë e grupit koordinues për reforma në arsim të lartë, mori fjalën për të vjellë vrer kundër investimeve në universitetet shqiptare. Krahas investimit mbi 40 milionë euro për objektin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”, studenti ankohet se në mënyrë joproprocionale ndahen edhe paratë për investime kapitale.
“Qëllimi im është të kemi kujdes ku i investojmë mjetet. Në vitin 2025 investimet kapitale për UKM kapin vlerën e 245 mijë euro, për Nënë Terezën 2 milionë euro. Studentët në UKM janë 23 mijë, të Nënë Terezës 2.000. Universiteti Shtetëror i Tetovës fiton 100 mijë euro në vitin 2025, ndërsa ka 7.000 studentë. Vlerësoj se financimi duhet të kihet kujdese me financimin”, deklaroi studenti i UKM-së Aeksandar Nikollovski.
Megjithatë, reagimi i studentit nuk e mori vëmendjen e të pranishmëve dhe askush nuk i replikoi.
Sipas paralajmërimeve, ndryshimet e reja parashikojnë forcim të kritereve për avancim në titujt e fakulteteve, por obligime të reja për publikime të punimeve shkencore me impakt faktor. Do të ketë mënyrë të re të financimit të universiteteve, ndërsa do të ketë edhe ndryshim të programeve studimore. /Alsat.mk








