Disney kritikohet ashpër për trailerin e ri të filmit “Snow White”
Disney kritikohet ashpër për trailerin e ri të filmit “Snow White”
Përshkrimi i ri për trailerin e filmit të ri “Snow White” ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht sa i përket pamjes së shtatë xhuxhat të krijuar duke përdorur teknologjinë CGI.
Ky film është pjesë e një trendi të Disneyt për t’i rikrijuar klasiket e animuara, por traileri ka marrë shumë kritika për mënyrën se si është bërë krijimi i karaktereve përmes efekteve vizuale, sidomos kur bëhet fjalë për xhuxhat.
Sipas një kritike që ka shkruar Stuart Heritage në The Guardian, shkurtabiqët në trailerin e ri të filmit duken “të frikshëm” dhe dizajni i ri i tyre përmes CGI-së po ashtu.
Heritage i ka krahasuar ata me statujat që mund të shihen në Disneyland, por të “deformuara dhe të mbështjella me lëkurë njeriu”.
Përdorimi i tepërt i CGI-së për personazhet dhe kafshët, si ato të pyllit që ndihmojnë Borëbardhën, kritikohet gjithashtu për faktin se krijon një efekt të pabesueshëm, ku ato s’duken krijesa mikpritëse, siç ishin në filmin e animuar.
“Ata duken si figura animatronike që janë goditur nga rrufeja dhe janë ngjallur para se të fikej zjarri”, ka thënë Heritage.
Figura animatronike është marionetë, që kontrollohet nga makineritë elektronike në mënyrë që të bëjë lëvizje të rrjedhshme, e cila shpesh përdoret për portretizimin e ndonjë karakteri të caktuar në ndonjë film, videolojë, apo si lloj maskote nëpër parqe me atraksione, të tilla si “Disneyland”.
Po ashtu, ky trend i Disneyt për të ribërë klasikët e animuar, që ishin kaq të dashura për fëmijët, është kritikuar për mungesë të sharmit dhe shprehjes së fytyrës që kishte versioni i animuar i “Snow White”.
Posteri dhe skena nga filmi i ri “Snowwhite”
Heritage ka theksuar se këta filma të ribërë duken pa shpirt dhe se dizajni i xhuxhëve te traileri i filmit “Snow White” mund të ketë arritur një pikë të re në degradimin e estetikës së filmave të Disneyt.
“Nëse do të ishte gjithçka siç duhet, ‘Snow White’ do të duhej të mbetej e mbyllur përgjithmonë, ashtu sikur ‘The Day the Clown Cried’”, ka thënë tutje Heritage.
Në fund, ai ka sugjeruar se ky film mund të lërë ndikim të thellë te fëmijët, siç ndodhi me filmin “The Return to Oz”, duke theksuar se ky trailer mund të bëhet një mjet kërcënimi për fëmijët: “Pastro dhomën, ose do të të detyroj të shikosh sërish trailerin”.