“Do No Wrong” kënga e parë që lansohet pas vdekjes së Liam Payne
“Do No Wrong” kënga e parë që lansohet pas vdekjes së Liam Payne
Zëri i artistit Liam Payne do të dëgjohet sërish nëpër radiostacione pasi kënga “Do No Wrong”, e para pas vdekjes së tij, do të lansohet të premten më 1 nëntor.
Projekti është bashkëpunim i këngëtarit të ndjerë me producentin e shpërblyer me “Grammy”, Sam Pounds, dhe vjen pak javë pas vdekjes së rastësishme të Payne, që shkaktoi pikëllim të madh te fansat e tij anekënd botës. Pounds e paralajmëroi lansimin e ri në rrjetet sociale, duke e quajtur një “nderim” ndaj shpirtit dhe talentit të Liamit. Po ashtu e ndau një mesazh personal për familjarët dhe adhuruesit e artistit.
“Lutem që kjo këngë do të jetë bekim për botën, ashtu siç Liam ëndërronte gjithmonë. Lutem që engjëjt do t’ju ngushëllojnë çdo ditë derisa e dëgjoni atë. Lutem që t’ua lehtësojë dhimbjen Ruthit, Bearit dhe gjithë familjes së tij. Lutem që kjo këngë të eklipsojë energjitë negative përreth dhe që fuqia shëruese pozitive e mbinatyrshme ta përqafojë secilin prej jush”, shkroi Pounds në postimin e tij.
Nga publikimi i lajmit për vdekjen e Payne, Pounds ka bërë disa postime në mediat sociale duke e përshkruar mikun dhe bashkëpunëtorin e tij si një artist i talentuar, baba i përkushtuar dhe mik besnik e i dashur.
31-vjeçari, Payne, vdiq më 16 tetor pasi ra nga ballkoni në katin e tretë në hotelin “CasaSur Palermo” në Buenos Aires. Një raport autopsie zbuloi se ai vdiq nga disa lëndime, përfshirë gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme të shkaktuara nga rënia. Liam Payne u bë i njohur botërisht në vitin 2010, si njëri prej anëtarëve të grupit britanik, “One Direction”, i cili përbëhej edhe nga Niall Horan, Zayn Malik, Harry Styles dhe Louis Tomlinson. Së bashku, grupi arriti një sukses të madh global, me katër nga albumet e tyre që u pozicionuan në vendin e parë të toplistës së 200 albumeve më të mira “Billboard”.
Pas shpërbërjes së bendit në vitin 2016, Payne e filloi karrierën si solo-artist, duke debutuar me singlin “Strip That Down” në bashkëpunim me Quavo. Albumi i tij i parë, “LP1”, debutoi në vendin e parë në toplistën “Billboard Heatseekers Albums” me t’u publikuar në dhjetor të 2019-s. Payne vazhdoi të linte gjurmë në skenën muzikore me këngë si, “Get Low”, “Bedroom Floor” dhe “Familiar”.