Dokumentari për P.Diddyn zbulon detaje tronditëse nga e kaluara e tij
Dokumentari për P.Diddyn zbulon detaje tronditëse nga e kaluara e tij

Në dokumentarin “Diddy: The Making of a Bad Boy” janë zbuluar disa detaje tronditëse rreth të kaluarës së reperit Sean “Diddy” Combs, ku paraqitet një pamje e errët e rrugës së tij drejt famës dhe marrëdhënieve me ata që ishin afër tij.
Fox News ka shkruar për ato që janë zbuluar në dokumentarin i cili është krijuar nga produksioni “IMDb”, ku flasin avokatja Lisa Bloom, aktiviste për të drejtat e njeriut, reperi Al B. Sure dhe aktorja Sara Rivers.
Reperi Al B. Sure
Kërcënimi me dhunë: Reperi Al B. Sure, babai i djalit të adoptuar të Diddy-t, Quincy, ka thënë se Kim Porter, ish-partnerja e Diddyt (me të cilën Al B. Sure ishte në lidhje, para se ajo të lidhej me Diddyn) që vdiq në 2018, e ka paralajmëruar se do të “vritej” nëse ai do të tentonte të përfshihej në jetën e Diddyt.
Fox News e ka cilësuar këtë si zbulim dramatik, siç thuhet, për shkak të natyrës së turbullt të marrëdhënies ndërmjet Diddyt dhe Porterit. Sure ka sugjeruar se Porter kishte frikë edhe për jetën e saj.
Diddy dhe Kim Porter
Vdekja misterioze e Porterit: Sure gjithashtu ka thënë se mund të ketë diçka të dyshimtë rreth vdekjes së papritur të Porterit, duke e quajtur atë një “vrasje”, ani se autoritetet e shpallën si vdekje natyrale nga pneumonia.
Ai ka përmendur gjithashtu se Porter kishte mbajtur një ditar dhe kishte shkruar rreth anëve të errëta të marrëdhënies me Diddyn para vdekjes.
Diddy në konferencë për shtyp pesë ditë pas ngjarjes në gjimnazin “City College”
Ngjarja fatale e bamirësisë: Në vitin 1991, një ndeshje basketbolli e organizuar nga Diddy në gjimnazin “City College” në New York, me qëllim që të mbledhtë fonde për bamirësi, u kthye në një tragjedi. Kjo ndodhi për shkak se salla ku mbahej ndeshja kishte kapacitet për akomodim të 2730 personave, ndërkohë që më shumë se 5000 njerëz u munduan të hynin brenda. Fansat që ishin të dëshpëruar ta shikonin ndeshjen dhe yjet e njohur Myke Tyson e LL Cool J, provuan të thyenin dyert për të hyrë brenda. Një turmë e njerëzve arriti të depërtonte brenda sallës, si pasojë e së cilës 9 persona vdiqën pasi u shtypën e dhjetëra të tjerë u lënduan.
Ani pse nuk u ngritën akuza penale, Diddy u përball me padi civile.
Një anëtar i familjes së njërës prej viktimave, vëllai i një vajze të quajtur Sonya Williams, Sonny Williams Jr., ka kujtuar një takim me Diddyin gjashtë vjet pas ngjarjes, ku reperi i kishte ofruar 50,000 dollarë dëmshpërblim.
“Ishe një ofendim i madh për mua pasi pashë zyrën e tij të dhe e kuptova se ai kishte pasuri tejet të madhe. I thashë ‘më ofendove që më ofrove vetëm 50,000 dollarë! A ishte Sonya shoqja jote? Ti ia ke dhënë asaj biletën për të shkuar në atë ngjarje’. Dëmshpërblimi i tij m’u duk si një shuplakë në fytyrë”, ka thënë Williams.
Diddy me nënën e tij
Fëmijëria problematike: Një mik i fëmijërisë së Diddyt, Tim Patterson, ka treguar për disa detaje shqetësuese mbi fëmijërinë e tij. Sipas tij Diddy që nga mosha e vogël u ekspozua ndaj alkoolit, marihuanës dhe aktiviteteve seksuale në festat që organizonte nëna e tij.
Ky mjedis kaotik, së bashku me traumat e humbjes së babait të tij në një atentat, kur Diddy ishte vetëm 3 vjeç, e formuan atë si një individ që u rrit në një botë të dhunshme dhe të pasigurt.
The Notorious B.I.G.
Vrasja e The Notorious B.I.G.: Dokumentari gjithashtu përfshin një diskutim mbi vdekjen tragjike të reperit të njohur The Notorious B.I.G., mikut të Diddyt.
Gene Deal, ish-truproja i Diddyt, ka vënë në dyshim nëse Diddy ishte indirekt përgjegjës për vendosjen e B.I.G-së, njohur ndryshe me nofkën Biggie, në një atmosferë të rrezikshme për shkak të rivalitetit të famshëm “Lindje-Përendim” në muzikën hip-hop.
Ani pse Deal nuk ka thënë se Diddy ka pasur ndonjë rol direkt, sipas Fox News, deklaratat e tij ngrenë pyetje serioze mbi rrethanat që çuan në vdekjen e Biggiet.
Fox News ka shkruar gjithashtu se këto zbulime vetëm sa i shtojnë kompleksitin imazhit të Diddyt.
Dokumentari e paraqet atë si një individ që ka mbijetuar në një botë fame, dhune dhe tradhtie, dhe që mund të përballet me më shumë hetime ligjore dhe morale në të ardhmen.
Diddy aktualisht ndodhet në paraburgim në Brooklyn të New Yokut. Ai është deklaruar i pafajshëm ndërkohë që akuzohet për krime të rënda seksuale, shantazh e krim të organizuar. Mbrojtja në liri i është mohuar tri herë, përkundër dorëzanisë prej 50 milionë dollarësh amerikanë.
Gjykimi ndaj Diddyt pritet të nisë të hënën e parë të muajit maj.