“Drejtësia” – Çdo pushtet me prokurorin e vet
“Drejtësia” - Çdo pushtet me prokurorin e vet
Gazetar: Suad Bajrami
Mandati i kryeprokurorit është 6 vjet, por këtë mandat pak e kanë mbijetuar, pasi çdoherë që është ndërruar pushteti, bashkë me të është ndërruar edhe kryeprokurori. Asnjë prokuror i zgjedhur në kohën e një qeverie nuk i ka mbijetuar qeverisë pasardhëse. Kjo mbase është në kundërshtim me vlerat themelore të shtetit ligjor dhe ndarjes së pushteteve, për çka ndër vite ka pasur kritika edhe nga faktori ndërkombëtar, megjithatë historia përsëritet. Nëse e shohim në perspektivë, nisma e fundit qeveritare për shkarkimin e kryeprokurorit të fundit Lupço Kocevski është vetëm vazhdimësi e kësaj tradite të ndërtuar mbi parimin e gabuar “Çdo Qeveri, me njeriun e vet në Prokurori”.
Menjëherë pas pavarësisë së shtetit, në vitin 1992, ishte miratuar Ligji për Prokurorinë Publike, i cili përkufizonte mandatin e prokurorit të shtetit. Asokohe, këtë detyrë e kryente Marko Bundalevski, i cili e vazhdoi deri në vitin 1996.
Qeveria e atëhershme e LSDM-së në krye me Branko Cërvenkovskin vendosi të emëronte në krye të Prokurorisë Stevan Pavlevskin. Por, me rënien e Cërvenkovskit nga pushteti, ra edhe Pavlevski.
Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së së Lupço Georgievskit në pushtet, në krye të Prokurorisë do të emërohej Stavre Xhigov, i cili do të shërbente në detyrë edhe gjatë kohës së konfliktit të vitit 2001, kur edhe hapi lëndët kundër UÇK-së dhe filloi bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës për Krime Lufte. Xhikov do ta kryente këtë detyrë deri në vitin 2002. Ai u shkarkua pasi Georgievski ra nga pushteti dhe u rikthye Cërvenkovski.
Qeveria e udhëhequr nga LSDM, propozoi Aleksandar Përçevskin për kryeprokuror, i cili shërbeu në periudhën deri në vitin 2006. Gjatë kohës së udhëheqës së tij me Prokurorinë ndodhi një ndër rastet gjyqësore më kontroverse i njohur si Sopoti, pasi Prokuroria akuzoi pa fakte 11 shqiptarë për terrorizëm. Pas 15 vitesh keqtrajtimesh në burgje dhe zvarritje nëpër gjykata, Prokuroria Speciale Publike konstatoi pafajësinë e tyre, bazuar në bisedat e përgjuara mes Ish Shefit të Policisë Sekrete Sasho Mijallkov dhe ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Me rënien e LSDM-së nga pushteti në vitin 2006 dhe rikthimin e VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevskit, ra edhe Përçevski.
Në krye të organit të akuzës u vendos Lupço Shvërgovski, një figurë e afërt me strukturat më të larta të VMRO-DPMNE-së. Gjatë periudhës së tij, ndodhi rasti “Monstra” për çka u akuzuan gjashtë persona për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë. Për rastin u mbajtën disa protesta nën akuzua se ai ishte i montuar, ndërsa pas nëntë vitesh gjykim, njëri prej të akuzuarve u shpall i pafajshëm nga Gjykata, pasi Prokuroria nuk pati prova të mjaftueshme. Shvërgovski e mbaroi të plotë mandatin e tij 6-vjeçar pasi gjatë asaj periudhe, në pushtet ishte VMRO-ja. Pas rënies nga pushteti të VMRO-së, ai u bë avokat në lëndët e ngritura ndaj shefit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov.
Pasi Shvërgovski mbaroi mandatin, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE vendosi të propozonte Marko Zvërlevskin, një figurë kontroverse i cili së bashku me prokuroren e Shkupit Gordana Geshkovska përbënin dyshen që mediat i cilësuan si “prokurorët me duar të përgjakura”. Zvërlevski madje do të merrte edhe epitetin “marionetë e mafias” nga organizata të caktuara civile. Këto cilësime mbase dhe bëhen më të qarta duke pasur parasysh se miqësia e Zvërlevskit me Mijallkovin ishte publike.
Pamjet që po shihni janë nga pjesëmarrja e tyre në ballon rome të organizuar nga ish deputeti Amdi Bajram. Por era e tij përfundoi, me rënien e Gruevskit. Sapo LSDM erdhi në pushtet në krye me Zoran Zaevin, e shkarkoi nga detyra Zvërlevskin.
Më pas në krye të Prokurorisë u vendos Lubomir Joveski, i cili arriti ta përfundonte mandatin gjashtëvjeçar, derisa edhe LSDM ishte në pushtet. Edhe gjatë mandatit të tij, kishte akuza për anshmëri dhe mbrojtje të funksionarëve të LSDM-së, ndërsa në sytë e opinionit shqiptar, mbahet mend rasti i Almirit ku prokuroria e cilësoi veprën si aksident në vend të vrasjes.
Pak para rënies nga pushteti, shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM votoi Lupço Kocevskin për kreyprokuror. Megjithatë, me largimin e LSDM-së dhe rikthimin e VMRO-DPMNE-së në krye me Hristijan Mickoskin filloi dhe nisma për shkarkimin e Kocevskit e cila u pezullua për shkak tragjedisë së Koçanit, por pas mbarimit të hetimit, Mickoski me këmbëngulje e rivendosi në tavolinë shkarkimin e Kocevskit. I detyruar, Kocevski dha dorëheqje. /Alsat.mk








