Drejtorët organizativ buxhetit shtetëror i kushtojnë mbi 300 000 euro në vit

Drejtorët organizativ buxhetit shtetëror i kushtojnë mbi 300 000 euro në vit

Gazetare: Vjollca Aliti

Pagat e drejtorëve organizativ buxhetit shtetëror i kushtojnë mbi 300,000 euro në vit. Në institucionet publike shëndetësore në Maqedoni janë të vendosur 26 drejtor organizativ, 9 prej të cilës janë ushtrues të detyrës së drejtorit, dhe të gjithë marrin pagë mujore prej afër 60,000 denarë. Ata nuk janë përfshirë nga rritja e pagave të funksionareve pasi janë të punësuar nga ministria e Shëndetësisë dhe jo nga Kuvendi. Ata në zyrat e tyre nuk kanë personel tjetër shtesë.

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti ka premtuar heqjen e këtij pozicioni si vend pune nëpër institucionet shëndetësore, nën arsyetimin se kjo pozitë vetëm se ngarkon buxhetin shtetëror. Alsat pyeti ministrinë e Shëndetësisë se sa kjo pozitë e drejtorëve lehtëson funksionimin e Klinikave, por nga dikasteri i shëndetësisë na udhëzuan që përgjigje të kërkojmë nga të gjitha klinikat që kanë drejtorë organizativ.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë nuk është komentuar nga zyrtarë të tjerë të qeverisë e as nga partitë politike edhe pse shumë nga këta drejtorë janë të emëruar me rekomandime të partive.

Ndryshe, muaj më parë, Fondi Shëndetësor përmes kontrolleve të jashtëzakonshme nëpër Klinika konstatoi se disa nga drejtorët organizativ të Klinikave në Shkup kanë marrë paga më të larta se ato të rregulltat. Në raportin e Fondit ndër tjera u shpalos se disa drejtor Klinikash kanë marrë mëditje për kujdestari derisa kanë qenë në udhëtim zyrtar apo derisa kanë qenë në pushim vjetor apo në ditë të lira.

Kontrollet e Fondit po ashtu treguan për keqpërdorime tjera sa i përket kujdestarive në Klinikën e Neurokirurgjisë, Kardiokirurgjisë dhe kirurgjisë digjestive të fëmijëve.

Heqjen e drejtorëve organizativ e kishin premtuar shumë ministra paraprakë. Një gjë të tillë e premtoi ish ministri Bekim Sali, paraardhësi i tij Venko Filipce si dhe Arben Taravari. Por pavarësisht premtimeve, kjo pozitë ende vazhdon të plotësohet me kuadro nga parti të ndryshme politike.

Të enjten ministri i Shëndetësisë tha se nga 1 janari i vitit 2024 Qendra Klinike në Shkup do të ketë vetëm një drejtor të vetëm të përgjithshëm i cili do jetë përgjegjës për të gjithë kompleksin e Klinikave.
Drejtorët organizativ apo ekonomik siç quheshin më parë janë vendosur që në vitin 2015 nga ish qeveria e Nikolla Gruevskit.

Vendimin për vendosjen e këtij pozicioni qeveria e atëhershme e kishte arsyetuar me nevojën për menaxhimin e procesit të punës, funksionimin e institucionit publik shëndetësor, kujdesin për funksionimin material dhe financiar, zbatimin e projektit “Termi im” dhe çështje tjera për mbarëvajtjen e punës së institucionit shëndetësor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button