Një dron rus që ishte pjesë e një sulmi gjatë natës ndaj Ukrainës u rrëzua në një godinë banimi në Rumaninë lindore, duke plagosur dy persona, thanë autoritetet rumune. Në përgjigje të rrëzimit në qytetin e Galatit, Rumania, i kërkoi NATO-s një transferim më të shpejtë të aftësive kundër dronëve tek ushtria e saj, tha Ministria e Jashtme, duke e quajtur fluturimin e dronit një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar. Shefi i Mbrojtjes në Bukuresht theksoi se nuk pati mundësi reale për neutralizimin në mënyrë të sigurt të dronit, por shtoi se situata është nën kontroll.
“Për këtë lloj situate, rumunët duhet të kuptojnë se Rusia është një kërcënim për sigurinë e vendeve në zonë dhe lufta që ajo zhvillon kundër Ukrainës prek të gjitha vendet e krahut lindor të NATO-s dhe jo vetëm. Droni që shkaktoi incidentin në Galati u zbulua në orën 01:46, 19 kilometra në lindje të Reni-t. Ai hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë në orën 01:52 dhe humbi nga radarët në 01:56, pasi kishte përshkuar rreth 10 kilometra brenda hapësirës ajrore kombëtare.” – Gheorghe Maxim, Zëvendëskomandant për shtabin e përbashkët të Forcave të Armatosura Rumune.
Gjermania dënoi sulmin e Rusisë kur një dron. Zëdhënësi i qeverisë Stefan Kornelius u tha gazetarëve në Berlin se sulmi “tregon vendosmërinë e Rusisë për ta përshkallëzuar më tej këtë luftë”.
“Gjermania qëndron fort pranë aleatëve të saj të NATO-s, përfshirë Rumaninë. Kjo tregon edhe një herë se ne, si NATO dhe si aleancë, jemi shumë të vendosur të përballemi me këto kërcënime, se duhet t’i marrim seriozisht kërcënimet në krahun lindor dhe se, sigurisht, jemi të gatshëm të mbrojmë çdo centimetër të territorit të aleancës.” – Stefan Kornalius, Zëdhënës i Qeverisë gjermane.
Ministri i Jashtëm Francez Jean-Noel Barrot sulmin e cilësoi si një “akt të papërgjegjshëm”.
“Thirra ambasadorin rus në Francë në orën 9:45 të mëngjesit për t’i thënë se sulmet masive kundër civilëve fundjavën e kaluar, kërcënimet kundër diplomatëve francezë dhe evropianë në Moskë dhe ky akt i fundit i papërgjegjshëm janë të gjitha akte frikësimi që janë të pamatura dhe të pakuptimta, pasi ato nuk do të na pengojnë në asnjë mënyrë nga mbështetja jonë për rezistencën ukrainase.” – Jean-Noel Barrot, Ministër i Jashtëm Francez.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se “lufta agresive e Rusisë ka kaluar edhe një vijë tjetër”, ndërsa NATO dënoi atë që e cilësoi si “sjellje të papërgjegjshme të Rusisë”. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se rrëzimi i dronit përfaqëson një “shkelje flagrante dhe serioze të sovranitetit të Rumanisë dhe hapësirës ajrore evropiane”.







