Droni i rënë në “Bair” të Mitrovicës i takon KFOR-it
Një dron, i cili sot pasdite ra në lagjen “Bair” të Mitrovicës i takon misionit KFOR.
Kjo është bërë e ditur nga Zyra për Informim e KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate për media.
”Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, konfirmon se një nga dronët e tyre u ul në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i thotë se droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të tyre.
“Droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
KFOR-i falënderon popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin dhe për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe zbutjen e çdo shqetësimi të shkaktuar nga incidenti.
“KFOR-i tashmë ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti”, përfundon komunikata.








