Dua Lipa zbulon librin e muajit për shkurt 2026: “The Son Of Man”

Dua Lipa zbulon librin e muajit për shkurt 2026: “The Son Of Man”

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë me ndjekësit librin e saj të përzgjedhur për muajin shkurt 2026 në kuadër të rubrikës së saj të leximit mujor.

Këtë herë, ajo ka rekomanduar romanin “The Son Of Man” të shkrimtarit francez Jean-Baptiste Del Amo, një vepër e errët dhe psikologjikisht e thellë që trajton trashëgiminë e dhunës dhe traumës ndërbreznore, shkruan TheService95, transmeton KultPlus.

Në përshkrimin e saj, Dua tregon se romani nis kur një burrë, pas disa vitesh mungese të pashpjeguar, rikthehet papritur në jetën e një gruaje dhe djalit të tyre të vogël. Që në fillim, sjellja e tij duket shqetësuese – i paparashikueshëm dhe i egër – ndërsa tensioni rritet kur ai insiston që familja të shkojë së bashku në Les Roches, një shtëpi e braktisur në male.

Më vonë zbulohet se kjo është pikërisht shtëpia ku ai kishte kaluar adoleshencën e tij të dhunshme, nën hijen e një babai brutal dhe të çrregullt mendor. Dua Lipa e krahason atmosferën e librit me filmin “The Shining”, duke theksuar se edhe fundi i romanit është po aq dramatik dhe tronditës.

“Duhet t’ju paralajmëroj: ky është një libër i errët, edhe sipas standardeve të mia. Por megjithatë, ka edhe një bukuri të vërtetë brenda tij,” shkruan ajo, duke vlerësuar gjuhën kinematografike dhe poetike të autorit, si dhe përkthimin e shkëlqyer në anglisht nga Frank Wynne.

Sipas Dua Lipës, Jean-Baptiste Del Amo arrin me mjeshtëri të tregojë se si dhuna mund të përcillet nga një brez në tjetrin – veçanërisht nga baballarët te bijtë – ndërsa shpresa e vetme që ofron romani qëndron në thyerjen e këtij cikli.

“E lexova pa u shkëputur asnjë moment dhe ende po mendoj për këtë familje të brishtë dhe trashëgiminë e traumës së trashëguar,” përfundon ajo.

“The Son Of Man” shënon një tjetër zgjedhje të guximshme dhe të thellë letrare nga Dua Lipa, e cila vazhdon të promovojë letërsinë bashkëkohore përmes leximeve të saj mujore./KultPlus.com

LEXO EDHE:

Back to top button