Dy ligjet shumë të rëndësishme që duhet të miratohen para zgjedhjeve lokale, assesi të zhbllokohen për shkak të mungesës së badenterit
Dy ligjet shumë të rëndësishme që duhet të miratohen para zgjedhjeve lokale, assesi të zhbllokohen për shkak të mungesës së badenterit
Gazetare: Fatlume Dervishi
Kodi zgjedhor dhe Ligji për vetëqeverisje lokale janë dy nga ligjet e rëndësishme për procesin zgjedhor të tetorit, por që nuk miratohen assesi. Për të dy ligjet, pushtetit i mungon badenteri, gjegjësisht mbështetja e Frontit Evropian.
Partitë nuk japin qëndrime të reja, duke thënë se nuk kanë lëvizur nga pozitat e tyre. Shumica kërkon që ndryshimet në Kodin zgjedhor të miratohen. Zvarritja e ndryshimeve sa i përket pragut të nënshkrimeve për kandidatët e pavarur, ka lënë në situatë të paqartë qytetarët dhe organizatat të cilat duan të dorëzojnë lista të pavarura në zgjedhjet lokale të tetorit. Mosmiratimi i ndryshimeve që janë në procedurë parlamentare krijon boshllëk ligjor pasi Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar dispozitat paraprake. Ndërkohë kandidatët e pavarur dhe OJQ-të nuk janë të kënaqur as me propozimin partive VMRO, ZNAM, LSDM dhe VLEN që kandidatët e pavarur duhet të mbledhin së paku 1% të numrit total të votuesve në komunë.
Në prag të zgjedhjeve lokale, pushteti nuk ka arritur të zgjidhë akoma as ngecjen e ligjit të ri për vetëqeverisje lokale. Propozimi ka mbetur në Kuvend, për shkak të mungesës së badenterit. Ministri Zllatko Perinski ditë kohë më parë i bëri thirrje opozitës të mbështesë ndryshimet.
“Ajo që është detyrë e Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, ne e bëmë. Më lejoni edhe një herë të dërgoj apel deri te opozita e drejtuar nga BDI-ja dhe LSDM-ja t’i tejkalojnë egot e tyre dhe ta mbështesin këtë propozim-ligj sepse qytetarëve por edhe krerëve të komunave do t’ua hapë më shumë dyert sa i takon komunikimit me qytetarët dhe sigurisht e jep mekanizmin e shkarkimit me referendum të kryerit të komunës gjë që mendoj se është shumë e rëndësishme të jetë si mundësi”, kishte thënë Zllatko Perinski, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Ndër ndryshimet më të rëndësishme të Ligjit për vetëqeverisje lokale është mundësia për shkarkimin e krerëve të komunave me referendum. /Alsat.mk








